English

Lajcak: Pasaportat biometrike, argument i fortë për heqjen e vizave

Tiranë, 22 janar NOA - Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pas vizitës që zhvilloi në Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e cilësoi procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike një argument shumë të fortë në marrjen e vendimit të BE për liberalizimin e vizave.

"Duke gjykuar nga ajo që pashë në këtë qendër mund të them se procesi është konform standardeve më të larta ndërkombëtare dhe është përfundimisht një argument pozitiv shumë i fortë për marrjen e vendimit të BE për udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët shqiptarë. Atë që kam parë këtu do të kem kënaqësinë t'a paraqes tek partnerët dhe kolegët e mi të vendeve anëtare të BE" deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë. Miroslav Lajçak.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u shpreh se procesi i aplikimit nga qytetarët shqiptarë për pasaporta biometrike është plotësisht në udhë të mbarë.

Interesimit të medias mbi tejkalimin e afatit dyjavor të pajisjes me pasaportë biometrike gjatë periudhës së fundvitit 2009 dhe fillimvitit 2010, ministri Basha iu përgjigj se kjo është rrjedhojë e një fluksi të jashtëzakonshëm aplikimesh brenda një kohe të shkurtër, kur ka pasur ditë që kanë shënuar edhe 11 400 aplikime për pasaporta biometrike.

"Megjithatë ne kemi marrë të gjitha masat në bashkëpunim me konçesionarin "Aleat" për të përshpejtuar dhe për të rritur kapacitetet prodhuese në mënyrë që koha e pritjes edhe për këtë periudhë të pikut të aplikimeve të jetë sa më e shkurtër" deklaroi Basha.

k.k/NOA

KOMENTE