English

Lëvizja Qytetare "Zgjohu!", kundër planeve arsimore të Shkupit

Shkup, 23 Janar NOA - Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" në bashkëpunim me shoqatën e Historianëve Shqiptar në Maqedoni, Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar, Shoqatën e Artistëve Shqiptar, Shoqatat "Draudacum, "Art Vizion" dhe të tjera shfaqën sot shqetësim të thellë në lidhje me situatën në fushën e arsimit në mbarë territorin e vendit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni thanë se përkrahin fuqimisht Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë, punonjësit e arsimit si dhe prindërit e nxënësve të shkollave fillore në situatën e krijuar me imponimin e orëve të gjuhës maqedonase për nxënësit shqiptar dhe turk që nga klasa e parë fillore.

Gjykojmë që ky vendim i Ministrit Todorov paraqet një aventurë të një djaloshi të papërvojë në politike dhe në arsim, të kompleksuar dhe të humbur në korridorët e Ministrisë së Arsimit dhe është në kundërshtim me strategjinë e arsimit të miratuar në vitin 2007 nga po kjo Ministri ku theksohet që gjuha maqedonase do të mësohet nga klasa e 4 fillore. Gjithashtu, ky hap i Ministrit nuk është në përputhje me strategjinë "Drejt arsimit të integruar" të përgatitur nga OSBE dhe komisarit të saj të lartë për bashkësi etnike, Knut Vollebæk, si dhe me vizionin e një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit. Strategjia e integrimit është efiçiente në rast që të gjitha bashkësitë etnike bëjnë përpjekje të barabarta për t'u integruar në një shoqëri multietnike dhe jo me një diktat të komunitetit që për çastin e dhënë paraqet shumicën. Njëkohësisht, ky akt nënligjor i Ministrit Todorov bie ndesh me ligjin për arsimin fillor, neni 42 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të cilët pamundësojnë mësuesin klasor të jep mësim në gjuhën maqedonase dhe angleze për arsye të mospërgatitjes profesionale dhe metodike të paraparë me ligj. Ky vendim imponohet në gjysmëvjetorin e dytë, pa plan-program si dhe pa seminare pregaditëse për mësuesit që janë të domosdoshme pas çdo ndryshimi të plan-programit.

Shoqëria civile shqiptare kërkon dorëheqjen e menjëhershme dhe të pakusht të Ministrit Todorov për arsye të deklaratës së tij diskriminuese që mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptar të të njëjtës moshë, për arsye të vendimit arbitrar diskriminues që nuk është në përputhje me realitetin e barabarësisë së komuniteteve, për arsye të nxitjes së segregacionit tek fëmijët dhe shoqëria, për ngritjen e tensioneve ndëretnike si tash ashtu edhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptar në shkollat e mesme, për arsye të nxitjes së nacionalizmit si dhe për paaftësinë e tij në menaxhimin e arsimit.

Njëkohësisht, apelojmë me dashamirësi deri te të gjitha palët e prekura me këtë çështje që të mos ndërmarrin hapa të nxituara dhe të pamenduara mirë që mund të dëmtojnë zgjidhjen e drejtë të problemit të imponuar si dhe të bashkëveprojnë me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar.

Duhet gjithë bashkë të shmangim situatën ku mësuesit dhe nxënësit shqiptar do të vendosen në ballë të fushatave politike sepse këto kategori vitale të shoqërisë tonë shpesh janë viktimizuar nga politika dhe më pas kanë hasur në mospërfillje edhe pse mbesin drita e kombit.

"Ne konsiderojmë që të gjitha komunitetet përfitojnë nga mësimi i gjuhëve, në veçanti gjuhën e njëri tjetrit në vendin ku jetojmë, dhe ftojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që të shqyrtojë këtë vendim arbitrar të Ministrit të Arsimit dhe të shtyjë zbatimin gjer në gjetjen e një zgjidhjeje në përputhje me pëlqyeshmërinë e të gjitha komuniteteve", - përfundon reagimi nga Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" në Shkup.

e.r/NOA

KOMENTE