English

Pollo: Kongresi i Lushnjës, nisi ekzistencën de facto të shtetit shqiptar

Tiranë 22 janar NOA - Përkujtohet 90 vjetori i Kongresit të Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e përvjetorit jubilar, edhe Ministri i Shtetit z. Genc Pollo.

Duke përshëndetur në emër të qeverisë dhe të Kryeministrit Pollo tha se Kongresi i Lushnjës filloi ekzistencën de facto të shtetit shqiptar, pasi pas pavarësisë të shpallur në vitin 1912 pasuan luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore.

"Homazhi ynë është për ata burra të vendit, që 90 vite më parë, me një kurajë atdhetare dhe qytetare, kapërcyen rreziqet dhe rivendosën integritetin e vendit. 90 vjet më vonë, situatat janë shumë më të ndryshme, pasi sot Shqipëria, ndryshe nga atëherë është anëtare e NATO-s dhe kandidate e BE-së por njëlloj si atëherë ideali i një Shqipëri të zhvilluar, me njerëz që nuk vuajnë nga vobektësia, në një shoqëri që ecën përpara, është i njëjtë edhe sot", - theksoi Pollo.

Dhe për fat të mirë, - vazhdoi ai, - është në kuadrin e integrimit evropian, diçka që e mbështetin të gjithë dhe të gjitha forcat politike.

Ndaj nëse evokojmë sot Kongresin e Lushnjës, është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend, - deklaroi z.Pollo.

Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920, kujtoi Pollo. Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë", tha Pollo duke ftuar kështu opozitën të lërë bojkotin.

Kongresi i Lushnjes u mbajt në 21-31 janar 1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga gjithë Shqipëria, me qëllim studimin e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë.

Pasditen e 31 janarit të vitit 1920-të, Kongresi i Lushnjës u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, kryeqytet të Shqipërisë.

e.r/NOA

KOMENTE