English

Në kërkim të shtetit palestinez

A do t'ia arrijë i dërguari special i SHBA-së, George Mitchell, që t'i ringjallë negociatat paqësore në Lindjen e Mesme? Izraeli kërkon që nëse krijohet shteti i Palestinës, atëherë ky shtet duhet të demilitarizohet. Në anën tjetër, Hamasi tërhoqi informatën se kjo organizatë është e gatshme ta njohë Izraelin

Nga DPA Pa marrë parasysh goditjet e pësuara kohëve të fundit, i dërguari special i SHBA-së, George Mitchell, po vazhdon përpjekjet për të ringjallur negociatat paqësore në Lindjen e Mesme. Ai filloi një rreth të ri të negociatave me palestinezët dhe izraelitët. Në Tel Aviv, fillimisht u takua me Ministrin Izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barakun. Gjatë takimit që zgjati rreth dy orë, është diskutuar për hapat që duhet të ndërmerren në vendosjen e sërishme në shteg të procesit paqësor në mes të Izraelit dhe palestinezëve. Mitchell, i cili për herë të fundit vizitoi rajonin në nëntor të vitit të kaluar, më vonë u takua edhe me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun dhe në Ramallah u takua edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abassin. Në anën tjetër, kryenegociatori i autoriteteve palestineze, Saeb Erekat, akuzoi Izraelin se po i pengon me qëllim përpjekjet paqësore të Mitchellit. "Që nga dita e parë Netanyahu ka bërë çmos për t'i sabotuar përpjekjet paqësore të Mitchellit dhe ka arritur sukses në këtë fushë", tha Erekat. Gjatë një takimi që pati me gazetarët e huaj në Jerusalem, Netanyahu theksoi se pas krijimit të shtetit të Palestinës, Izraeli duhet ta ruajë praninë ushtarake në kufijtë lindorë të shtetit të ri, duke shtuar se kjo masë është e domosdoshme për ta pamundësuar trafikimin e armëve nga Jordania. Erekat theksoi se kjo deklaratë dëshmon për synimin e Netanyahut që t'i mbajë të okupuara territoret palestineze dhe se ai me këtë qëndrim de fakto po imponon "zgjidhjen me një shtet", apo më saktë, shtetin e përbashkët për dy popujt. Kryeministri izraelit gjithashtu iu bëri thirrje palestinezëve për rifillimin e negociatave, pa vendosur me këtë rast kushte paraprake. "Palestinezët kanë hipur në një dru të gjatë dhe si duket po ju pëlqen aty. Dhe sa më të gjata që janë shkallët që ju ofrojmë, aq më lartë hipin ata. Kjo duhet të marrë fund", tha Netanyahu. Palestinezët e kanë kushtëzuar rifillimin e negociatave me ndërprerjen e plotë të aktiviteteve nëpër kolonitë hebreje, të cilat gjenden në territoret palestineze dhe në Jerusalemin Lindor. Ndërkohë, organizata radikale palestineze, Hamas, theksoi se është e gatshme për "njohjen e përkohshme" të shtetit të pavarur të Palestinës, në kufijtë që kanë ekzistuar para luftës në vitin 1967. Megjithatë, zëdhënësi i kësaj organizate, Mahmud Al Ramahi, deklaroi se kjo nuk nënkupton edhe njohjen e shtetit të Izraelit. Gazeta izraelite Jerusalem Post, më herët kishte raportuar se Kryetari i Parlamentit të kryesuar nga Hamasi, Asis Dveik, ka pohuar se Hamasi është i gatshëm të njohë Izraelin dhe që të heqë dorë nga synimi për ta shkatërruar këtë shtet. Megjithatë, Dveik më pas e mohoi këtë informatë, duke theksuar se "raporti në gazetën sioniste është i pasaktë". "Ne nuk do ta pranojmë të drejtën për okupimin e tokave tona. Hamasi nuk do të heqë dorë as nga synimet e veta të shprehura", tha ai. Edhe Al Ramahi tha se Hamasi do të pranojë vetëm "zgjidhjen e përkohshme të vendosjes së një armëpushimi afatgjatë me Izraelin", por shtoi se kjo organizatë nuk do ta njohë të drejtën e Izraelit që të ekzistojë në tokat e palestinezëve.

KOMENTE