English

"Oazi" i Tiranës

"Në të kaluarën zhvillimi pa kriter i ndërtimeve në qytetin e Tiranës ka parë zhdukjen e shumë ndërtimeve me vlera apo rrënoja duke sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore. Këtë trysni, që bën zhvillimi pa kriter e pa plan ne e kemi parë në punimet amatoriale të punëtorëve të Bashkisë së Tiranës apo të firmave, si në rastin e Kalasë së Tiranës, dhe jo më larg se vendi ku ne ndodhemi"

Nga Ferdinand Xhaferraj*

Mozaiku i Tiranës, ky monument kulture, është pa dyshim një prej "oazeve" arkeologjikë më të hershëm të qytetit të Tiranës.

Ky monument, mbart shumë vlera, për sa i përket trashëgimisë së kryeqytetit. I zbuluar fillimisht në vitin 1972, kishte disa vite që nuk restaurohej. Me projektin e financuar nga MTKRS mozaiku u konsolidua duke u rikthyer në një gjendje të mirë. Arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika). Specialistët mendojnë që në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane.

Kompleksi i vilës romake, është një dëshmi shumë e rëndësishme për identitetin historik të vendbanimeve të hershme në kryeqytetin tonë. Perceptimi për kryeqytetasit është se Tirana, vendbanimet më të hershme i ka të shek. 13-14 të erës sonë. Duke patur parasysh që në Tiranë dhe veçanërisht pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, DRKK Tiranë do të paraqesë së shpejti një propozim për shpalljen e zonës rreth Mozaikut në Zonë Arkeologjike A dhe B të mbrojtur nga shteti, duke hapur edhe perspektivën për më shumë gërmime arkeologjike dhe prezantim më të mirë të trashëgimisë kulturore.

Kërcënimi nga zhvillimi urban pa kriter

Në të kaluarën zhvillimi pa kriter i ndërtimeve në qytetin e Tiranës ka parë zhdukjen e shumë ndërtimeve me vlera apo rrënoja duke sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore. Këtë trysni, që bën zhvillimi pa kriter e pa plan ne e kemi parë në punimet amatoriale të punëtorëve të Bashkisë së Tiranës apo të firmave, si në rastin e Kalasë së Tiranës, dhe jo më larg se vendi ku ne ndodhemi.

Gjatë vitit 2009, Drejtoria Rajonale e Tiranës, inicioi projekti pilot Rinia dhe Trashëgimia Kulturore, i zhvilluar me shkollat e mesme te Tiranes, që njohu më shumë se 1500 nxënës me vendndodhjen e këtij monumenti si dhe me vlerat e tij.

Vizitueshmëria

Në sajë të tabelave orientuese të vendosura nëpër Tiranë, një web-siti dhe disa nismave për njohjen e turistëve të huaj dhe vendas, kemi një rritje nga rreth 250 vizitorë në 2008, në më shumë se 4 000 vizitorë në vitin 2009, prej të cilëve 20% janë me kombësi të huaj. Fokusi i punës ka qenë afrimi i të rinjve kryeqytetas dhe njohja e një monumenti kulture kaq të rëndësishëm të trashëgimisë së qytetit. Duke vendosur një ciceron jemi munduar ti ofrojmë një eksperiencë turistike e cila përngjason me ato të ofruara nga site të ngjashme në Evropë. Në po këtë linjë Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe DRKK Tiranë po hartojnë një material promocional dhe udhëzues vizual që do i ndihmojnë turistet të njihen më mirë me vlerat e këtyre monumenteve.

Vizioni për të ardhmen

MTKRS do të vijojë punën jo vetëm për të vlerësuar më mirë një monument të tillë kompleks si mozaiku, por edhe me restaurime objektesh kulti dhe inxhnierike por edhe muze, si Teqja e Sheh Dyrrit në Tiranë, Kisha e Shën Marisë në Lubonjë dhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri.

(*) Dërguar nga autori, fjala e mbajtur në përurimin e punimeve te "Mozaiku i Tiranës"

KOMENTE