English

Të krihesh në Stamboll

"E ka thënë dhe vetë Doktori, jeta njerëzore mbi të gjitha. Unë kam ardhur këtu me gjithë njerëzit e shtëpisë, vetëm gruan kam lënë në Tiranë, kurse të dashur nuk kam"

Nga Lorenc Vangjeli

Që prej vitit të ri, tre miqtë e zakontë të revistës MAPO kanë munguar në redaksi. Gazetarët veteranë janë shpërngulur nga Tirana dhe janë strehuar diku rrotull malit të Tomorrit, pranë Beratit. Në fshatin Rroshnik, të famshëm për Qyprillinjtë e vjetër dhe fiqtë e hershëm, ata kanë marrë një shtëpi me qera, të sigurt se aty, përmbytjet e Shkodrës ju qëndrojnë larg. Megjithatë, komunikimi ynë me ta është i garantuar me internet; të enjten në mëngjes ata kishin rënë në Berat dhe kishin bllokuar një internet-kafe për të folur me redaksinë.

"E ka thënë dhe vetë Doktori, jeta njerëzore mbi të gjitha. Unë kam ardhur këtu me gjithë njerëzit e shtëpisë, vetëm gruan kam lënë në Tiranë, kurse të dashur nuk kam", tha gazetari i parë.

"E kanë thënë dhe italianët, të këqijat nuk vijnë vetëm për të bërë keq, kështu, nëse uji vjen deri në Tiranë, një të mirë e ka sepse dhe unë e kam lënë gruan në Tiranë. Mua dhe e dashura më thotë se unë jam kokrra e injorantit, por i dukem yll bote kur i çoj ndonjë lek në bankë", tha gazetari i dytë.

"Me frikë e kam dhe unë këtë punë, pavarësisht se e kam lënë gruan në Tiranë dhe nuk kam të dashur; e lashë se e zbulova që ma dridhte. Tani them se nëse uji vjen deri në Tiranë, huri që ju ngul asaj, mund të ketë dhe vetitë e ujit që merr formën e enës ku derdhet, që nuk ka shije, ngjyrë dhe aromë. Natyrisht ajo nuk vjen të shpëtojë si ne këtu në fshat, se këtu nuk ka pub-e, nuk ka parukeri, ajo nuk ecën dot me këpucë pa taka dhe nuk ka meshkuj që ta shohin se janë të gjithë në Greqi, në kurbet. E ka problem të madh po të mos jetë në qendër të vëmendjes së meshkujve", tha gazetari i tretë.

Gazetari i tretë na habiti. Kurrë nuk kishte folur aq gjatë dhe kurrë nuk kishte folur për gjërat e tij personale. E dinim që kishte një të dashur që ai vetë nuk ja kishte dredhur kurrë, por nuk e besonim dot se ai do të pranonte të hapte zemrën për dhembjet e tij të zemrës të shkaktuara nga e dashura e tij që ja dridhte.

"E ka një arsye që e bën këtë. Si pesimist që është nga natyra, si ndjekës i rregullt i lajmeve në televizor, ndoshta është i bindur se po vjen fundi i botës", tha i pari.

"Dhe meqë mendon se botës po i vjen fundi, beson se i duhet të dalë përpara Krijuesit me ndërgjegje të pastër", tha i dyti.

I treti kishte një përgjigje më ndryshe: "E bëj nga dhembja, dhembja është si alkooli dhe kur njeriu është i pirë, çfarë nuk i nxjerr goja", na shkroi nga Berati.

Dhe vetëm një çast më pas, na befasoi të gjithëve kur shkroi vendosmërisht: "Unë do të iki fare nga Shqipëria. Do të vetë në Turqi. Ashtu si bëri Dritan Prifti që u nis për Vit të Ri në Stamboll".

Tentuam ta ndalojmë, por i pirë siç ishte ai shkroi tamam atë gjë që ne të gjithë i ndruheshim. Ishte një gjë e ngatërruar. Kishte brenda edhe Stamboll, edhe parukeri, d.m.th, edhe krehje, ishte aty edhe ish- e dashura e tij që ja dridhte, edhe zjarri si në Gërdec, edhe ujë përmbytjeje si në Shkodër, edhe llafe të pista, edhe një përçartje avokati, dmth, ish-e dashura e tij i ishte betuar se ishte i Treti në jetën e saj, ndërkohë që shkonte në të njëjtën kohë dhe me tre të tjerë. Na shpjegoi se të dashurit e ish-të dashurës ishin të modeleve të ndryshme, njëri ishte njëshi i meshkujve, një tjetër ishte kokrra e injorantit, por kishte lekë dhe një i tretë që ishte çun i "squt". Na shkroi, madje, dhe për një njeri të fesë që yshte të keqen dhe që duhej ta takonim të gjithë bashkë për shans.

Dolëm nga linja e komunikimit me miqtë tanë. Ishte e pamundur të kuptonim diçka më shumë në atë rrjedhë surrealiste mendimesh të dehura me dhembje. Me siklet të madh e patëm sidomos atë pjesën e të krehurit në Stamboll të ministrit Prifti që tani shan Perëndinë se i solli përmbytjet.

Eni, djali i IT-së në redaksi, megjithatë, atëherë kur kishim humbur shpresën na tha se megjithatë ky vend e kishte një shpresë: Derisa ky miku i redaksisë sonë, gazetar, më shumë se për përmbytjen e Shkodrës, na foli për përmbytjen e shpirtit të tij nga dhembja, kjo do të thotë se situata nuk është kaq keq sa duket. Ose e kundërta, ka ardhur ora e kiametit sepse sot në Tiranë, të gjitha vajzat, sa herë gjejnë ndonjë të dashur të ri, i betohen se ai është i treti në jetën e tyre. Kurse djemtë e brezit tonë i thonë gjithmonë të dashurës së radhës, se vetëm ty të kam dashur!".

Dhe iku Eni.

Ne kërkuam të komunikojmë sërish me miqtë tanë, por edhe ata ishin larguar nga internet kafeja. Celularët i mbajnë vazhdimisht të mbyllur. Kur të thërret Perëndia, nuk të merr në celular, ka mënyra të tjera dhe ata e dinë mirë një gjë të tillë. Ne nuk dinim ku ta gjenim atë njeriun që yshte të keqen, ndaj vendosëm të bashkëjetojmë dhe ca kohë të tjera me të. Fundja ishim mësuar me të keqen.

KOMENTE