English

Basti i dytë i Edi Ramës

Liberalizimi i vizave është më se i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, ndërsa një buxhet i rimëkëmbur do t'i jepte Qeverisë mundësinë të fillonte një fushatë investimesh publike dhe publicitare të ngjashme me atë të pranverës së shkuar. Dhe kështu, Rama mund të humbasë bastin e dytë të madh të jetës së tij politike

Nga Eduard Zaloshnja Në daljen e fundit në emisionin televiziv "Top Story", Edi Rama, rikonfirmoi me vendosmëri se partia e tij nuk do të futet në Parlament pa marrë garanci për hapjen e kutive të 28 qershorit. Gjithashtu, ai sfidoi Kryeparlamentaren Topalli në lidhje me ndërprerjen e mandateve socialiste më 7 mars, duke thënë se ato mandate PS'së ia ka dhënë populli i majtë dhe askush tjetër. Ky qëndrim i Ramës tregon se ai duket i vendosur t'i shkojë deri në fund bastit të ri që ka vënë pas 28 qershorit - që të bëhet Kryeministër me zgjedhje të parakohshme. Pas ngjarjes së Gërdecit, kur zëra opozitarë ushtronin trysni ndaj Ramës për të kërkuar rënien e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ai përgjigjej se Berishën do ta nxirrte në pension në zgjedhjet e radhës. Ai, i bazuar ndoshta në sondazhe të brendshme, ishte tejet i bindur se do të fitonte në qershor 2009 si ndaj Berishës, rivalit kryesor për pushtet, ashtu edhe ndaj ish-miqve të kthyer në armiq, Metës dhe Nanos. Prandaj, ndoshta ai nuk zgjodhi rrugën radikale të të bërit opozitë deri më 28 qershor 2009. Por, pas zgjedhjeve Rama e kuptoi se e kishte humbur bastin që kish vënë për të mundur njëherazi të tre rivalët e tij kryesorë. Siguracioni i vetëm që dispononte për ta siguruar se në ekzekutimin e bastit nuk do t'i punohej ndonjë reng, gjegjësisht, e drejta e hapjes së kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ'së, nuk i funksionoi - shumica e djathtë në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor e mohuan arbitrarisht atë të drejtë. Si rrjedhim, ai tani duket i vendosur që të mos luajë më lojë politike xhentëlmenësh me Berishën. Në emisionin "Top Story", Rama jo vetëm që ritheksoi me vendosmëri mosfutjen e PS'së në Kuvend, por telegrafoi tangencialisht edhe mospjesëmarrjen e PS'së në zgjedhjet lokale, në rast se nuk hapen kutitë e 28 qershorit. Këto të fundit dihet që Berisha nuk do t'i lërë të hapen... Pra, duket se në llogaritë e Ramës kombinimi i bllokimit të reformave të mëdha në Kuvend me mospjesëmarrjen e PS'së në zgjedhjet lokale dhe protestat popullore do ta detyrojnë Berishën të japë dorëheqjen, për të shkuar kështu në zgjedhje të parakohshme dhe drejt humbjes. Në teori, ky duket një bast i arsyeshëm i Ramës. Po a është i tillë edhe në praktikë? Në fakt, çdo Kryeministër i një vendi me demokraci të maturuar do të jepte dorëheqjen po të përballej me një situatë si ajo që Rama duket se do t'i krijojë Berishës. Madje, situata nuk do të precipitonte deri në atë pikë, sepse ose do të hapeshin kutitë me kohë, ose do të shpalleshin zgjedhje të parakohshme më shpejt. Por, ne e dimë që demokracia shqiptare ende nuk është maturuar - në Shqipëri nuk është realizuar asnjëherë transferimi i pushtetit në mënyrë paqësore dy herë radhazi... Për ironi, në shtetin shqiptar transferimi i pushtetit në mënyrë jopaqësore ka ndodhur për herë të fundit pikërisht kur në krye të tij ishte Berisha. Në vitin 1997, ai demonstroi se mund t'i pranojë zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm pasi shteti të ketë shkuar në shkatërrim të plotë dhe atij t'i kenë mbetur rreth vetes 5 truprojat e fundit besnike. Dhe deri më sot, Berisha nuk ka dhënë shenja se ka ndërruar mendje lidhur me dorëheqjen apo zgjedhjet e jashtëzakonshme. Pra, gjasat janë se të gjitha veprimet e opozitës, të marra së bashku, të mos e detyrojnë Kryeministrin të pranojë dorëheqjen dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, mund të jetë diçka tjetër që mund ta nxisë vetë atë të zhvillojë zgjedhje të parakohshme. Deri në fund të këtij viti, gjasat janë të mëdha që liberalizimi i vizave për BE'në të jetë realizuar. Gjithashtu, kriza ekonomike përreth Shqipërisë dhe spazmat buxhetore të qeverisë shqiptare mund të jenë zbutur ndjeshëm deri atëherë. Në atë moment, ai, për të shmangur precedentin e zhvillimit të zgjedhjeve lokale pa opozitën, mund ta shpërndajë Kuvendin nëpërmjet një mocioni besimi, duke provokuar në pranverë zgjedhje të parakohshme të administruara nga Qeveria e tij. Në këto kushte, koalicioni i Berishës do ta kishte në favor erën elektorale. Kjo, sepse liberalizimi i vizave është më se i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, ndërsa një buxhet i rimëkëmbur do t'i jepte Qeverisë mundësinë të fillonte një fushatë investimesh publike dhe publicitare të ngjashme me atë të pranverës së shkuar. Dhe kështu, Rama mund të humbasë bastin e dytë të madh të jetës së tij politike.

KOMENTE