English

Kultura e madhe dhe diktatura

Refleksion

Duke mos pretenduar profetizimin, shikoj dy rrugë të ndryshme që ndjekin kortezhet e atyre që ikin nga kjo botë. Nëse ish diktatorit, dhe në përgjithësi diktaturave iu dhunohet edhe gjithë balta mbi varr, një lloj dhune që sikur donte të ishte ekuivalente e frikës me të cilën vet diktatori e ngriti diktaturën mbi burgjet, pushkatimet, internimet, mbi qindra të vrarë, të zhdukur, të përndjekur, të persekutuar, varrës së Pashko Gjeçit, ashtu si pararendësve të tjerë si ai, do ketë dritën e kaltër të parajsës, asaj parajse që edhe vet përkthyesi e dallonte kur shkruante kulturën e tij mes prangave

Nga Miranda Haxhia

Kur të gjithë filluan të pikëllohen dhe shpien kurora në Teatrin Kombëtar në nder të përkthyesit të njohur Pashko Gjeçi, për një çast e humba fillin e mendimeve, sepse mu kujtua fjala e Ramiz Alisë në mbledhjen me dyer të mbyllura në vitin1989 dhe më tronditi fakti që shumë nga ato teza që Ramiz Alia hodhi në atë mbledhje, sot janë verifikuar.

"Ata që janë nëpër burgje,- theksonte R.A.,- të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t'i afrojmë dhe do tu japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do t'i lëmë të na marrin pushtetin…"

Alia harroi se të burgosurit, të persekutuarit kanë pasur një tjetër lloj karte mbi të cilën ngritën moralin e tyre, ishin vet kultura, brumi nga i cili ishin gatuar. Njerëzit më të shquar, intelektualët më të mirë, të shkolluarit në perëndim përfunduan në baltën e kënetës famëkeqe të Maliqit, në burgjet e përjetshme të dhunës. Mes kohës së shkuar, para vitit '44 dhe pas vitit '90, u krijua një hendek i madh që u popullua më dogma staliniste, kulturë kineze dhe një pseudoshkollë ku edhe sikur të mos kryeje shkollë partie i kishe në sistem një serë filozofësh të kësaj natyre. Dhe kemi shumë bij të etërve që duke luajtur me kartën e demokracisë kërcasin dhëmbët dhe mprehin po aq egër sa etërit e tyre.

Ajo që nuk parashikoi Alia ishte se të dënuarit nuk mësuan kurrë të shajnë, të urrejnë, të hakmerren. Hera herës sfidojnë me kulturën e tyre të madhe, të thellë, pothuaj të pakrahasueshme me dhjetëra modele që serviri socializmi gjatë gjithë kohës së vet.

Pashko Gjeçi, iku, por ajo që mbetet nuk është një gropë e zezë, por fasha e një drite të madhe kulture dhe qytetërimi deri në detaje. Për këtë intelektual, u fol shumë, por çfarë kujtese do gjendet për gjithë krijesat që dolën nga një eksperiment kulturor i një sistemi totalitar, kur tu vijë dita dhe të ikin nga kjo botë? Sepse më tremb ajo kultura cunge me të cilën u formuan shumë njerëz që sot luajnë tavëll duke gjuajtur e goditur shtetin që tenton të mbahet, të forcohet, të bëjë rrugën që nuk e bëri dot gjithë klasa intelektuale e para'44- rrugën e demokracisë.

Duke mos pretenduar profetizimin, shikoj dy rrugë të ndryshme që ndjekin kortezhet e atyre që ikin nga kjo botë. Nëse ish diktatorit, dhe në përgjithësi diktaturave iu dhunohet edhe gjithë balta mbi varr, një lloj dhune që sikur donte të ishte ekuivalente e frikës me të cilën vet diktatori e ngriti diktaturën mbi burgjet, pushkatimet, internimet, mbi qindra të vrarë, të zhdukur, të përndjekur, të persekutuar, varrës së Pashko Gjeçit, ashtu si pararendësve të tjerë si ai, do ketë dritën e kaltër të parajsës, asaj parajse që edhe vet përkthyesi e dallonte kur shkruante kulturën e tij mes prangave.

"Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, vijon më poshtë Ramiz Alia në mbledhjen e vitit 1989,- nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke iu dhënë një pasaportë dhe duke u bërë presion, do t'i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo këmbëngulin, do të lëndohen dhe ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket Neve, se ne e bëmë."

KOMENTE