English

LSI, Haxhinasto: Opozita duhet të kthehet në Parlament

Tiranë, 24 janar NOA - Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhonasti ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se opozita duhet të kthehet në Parlament.

Pyetjes së gazetave se si e vlerëson ai deklaratat e fundit të përfaqësuesve të opozitës në media se e shohin zgjidhjen e krizës mes dhënies së postit të Presidentit dhe drejtuesve të institucioneve të tjera Kushtetuese, Haxhinastoi iu përgjigj se këto çështje i përkasin një diskutimi institucional.

"Mendoj se ky është një debat i parakohshëm, ndërkohë që ne duhet të kemi një aktivitet normal, opozita duhet të kthehet në Parlament dhe këto çështje i përkasin një diskutimi të tillë institucional. Por këto zëra që vijnë nga opozita mendoj se nuk janë aspak racionale, pasi në këto momente tregohet se opozita nuk ka si objektiv të saj, pikërisht përmirësimin e kuadrit ligjor dhe standardeve të zgjedhjeve, por dëshiron që të krijojë një krizë politike dhe më pas të arrijë zgjidhjen e kësaj krize duke u ulur në një tavolinë negociatash, ku diskutohet dhe ndarja e pushteteve të cilat janë të pavarura.

Do thoja se diçka e tillë është e papranueshme në një kohë që Shqipëria është një vend ku sundon ligji sipas gjithë standardeve ligjore dhe Kushtetutës së vendit.

Duhet të theksojë dhe një herë që ky është një debat i panevojshëm, pasi kuadri legjislativ që ka vendi, Kushtetuta e vendit e kanë shumë të qartë mënyrën sesi zgjidhet Presidenti dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të tjera të pavarura" tha Haxhinasto.

k.k/NOA

KOMENTE