English

PS, Xhaçka: Meta bën pazare, PS kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri

Tiranë, 24 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka ka reaguar sot për deklaratën e kreut të LSI-së, Ilir Meta i cili u shpreh nga Korça se PS ka sajuar vetë krizën politike dhe tashmë kërkon të dalë duke bërë pazare.

"Sot Ilir Meta është shprehur nga qyteti i Korçës, se nuk paska krizë politike e se PS po bën pazar me bojkotin për të fituar drejtimin e disa institucioneve.

I bëjmë me dije Z. Meta, se pushteti nuk mund të ndahet si plaçkë lufte siç bëri ai që sot kontrollon 20% të pushtetit me vetëm 4 deputetë. Përkundrazi, institucionet që ai përmend janë institucione të pavarura, që rrjedhin nga Kushtetuta, dhe kurrsesi nuk mund të pretendojë as Meta, apo Sali Berisha se mund t'i vërë nën thundrën e partisë-shtet, vetëm se gëzojnë shumicën parlamentare" tha Xhaçka.

"Ndryshe nga Ilir Meta që flet për pazare, pasi ai e sheh politikën si pazarin e radhës, Partia Socialiste kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, respektimin e të drejtës së një populli për të vendosur lirisht përmes votës. Nuk është vetëm Partia Socialiste, por i gjithë populli opozitar që kërkon hapjen e kutive, për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të kenë të njëjtin fat që patën zgjedhjet e 28 qershorit: një qeveri që nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve" përfundoi deputetja socialiste.

k.k/NOA

KOMENTE