English

Komision për "Nënë Terezën", e drejton Nikoll Lesi

Tiranë, 25 Janar NOA - Me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha është vendosur ngritja e një Komisioni Shtetëror për "Realizimin e Memorialit të Nënë Terezës" me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, që është me 26 gusht të këtij viti.

Prandaj Kryeministri ka vendosur që në përbërje të këtij Komisioni Shtetëror të jenë figura të rëndësishme të kulturës si dhe disa institucione, në mënyrë që programi dhe projekti i Memorialit të jetë gati për më 26 gusht, ku do të vendoset guri i parë në themelet e kësaj vepre të madhe për nder të Nënë Terezës, humanistes me famë botërore dhe me origjinë shqiptare.

Kryetar i këtij Komitetit Shtetëror është emëruar zv/ministri i Turizmit dhe Kulturës Nikoll Lesi, i cili ka zhvilluar mbledhjen e pare këto ditë në zyrat e ministrisë. Në mbledhje ka qene edhe zonja Liri Berisha, si presidente e fondacionit kulturor "Nënë Tereza".

Mësohet se nesër do të diskutohet e vendoset nga Grupi i Punës vendi ku do të ngrihet Memoriali dhe në varësi të vendit do të jetë edhe projekti arkitektonik i tij, i cili do të kalojë në disa filtra si nga Grupi i Punës, ashtu dhe nga oponenca profesionale në këtë fushë, ku do të thirren arkitektë, skulptorë, njerëz të artit e të politikës, nga media etj., para së të vendoset për formën dhe kompozimin e Memorialit.

Ideja është se Memoriali mund të jetë në një vend të dukshëm e të rëndësishëm të Tiranës. Ka pasur propozime që Memoriali të vendoset në qendër të sheshit "Skënderbej", atje ku ka qenë busti i diktatorit Hoxha, ashtu sikurse ka edhe mendime se shatërvani para Universitetit të Tiranës të prishet e të projektohet ngritja e Memorialit, që në vetvete do të jete dhe një qendër kulturore e jo vetëm muze.

Megjithatë ka plot ide dhe puna ka nisur. Në fund Grupi i Punës do të paraqesë tek Kryeministri Berisha projektin përkatës shoqëruar dhe me faturën financiare që do të nxirret nga Buxheti i Shtetit.

e.r/NOA

KOMENTE