English

IQT informon Priftin: Ndëshkuam subjektet e tregtimit të karburanteve që kryen shkelje

Tiranë, 26 janar NOA - Inspektoriati Qendror i Tiranës, ka informuar sot ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti mbi kontrollin e ushtruar në subjektet e tregtimit të karburanteve gjatë vitit 2009.

"Gjate një kontrolli me qëllim respektimin e kushteve dhe normave teknike të sigurisë, zotërimin e dokumentacionit ligjor për ushtrimin e aktivitetit, plotësimin e standardeve të cilësisë, janë investiguar shkelje apo parregullsi të ndryshme.

Ky kontroll u ushtrua në 300 stacione të tregtimit të karburanteve për automjete, 14 shoqëri të tregtimit me shumicë të gazit të lëngëzuar të naftës, 12 shoqëri të tregtimit me shumicë të karburanteve dhe 26 njësi të tregtimit të bombolave.

Janë kapur shkelje të tepërta në mosrespektimin e kushteve dhe normave teknike të sigurisë dhe të standardeve të cilësisë së karburanteve, duke shkaktuar bllokimin e pikave të shitjes në 80 autogaze, 26 stacione të tregtimit të karburanteve si edhe 105 raste të trajtuara me masë ndëshkimore për gjobë. Gjithashtu janë konfiskuar 350 bombola, bllokuar 26 njësi të mbushjes së bombolave, etj" raportoi IQT.

IQT, informoi Priftin se nga dt. 21.12.2009 ka filluar riinspektimi i pikave të bllokuara, duke paralajmëruar subjektet se në rast thyerje të bllokimit, do të propozohet heqja e lejes së veprimtarisë.

Gjithashtu nëse do të vërehen raste të veçanta ku do të konstatohen veprimtari të paligjshme dhe në rrezik për jetën e komunitetit do të behën kallëzime për ndjekje penale.

k.k/NOA

KOMENTE