English

Masakër në lokal, tre të vdekur

Durrës, 28 Janar NOA - Një vrasje e trefishtë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Durrës pasi persona të maskuar hynë brenda një lokali dhe kryen atentat duke i marrë jetën tre personave të pambrojtur, informon korrespondenti i NOA.

Ngjarja ka ndodhur në orën 22.25 minuta në një lokal në lagjen nr 9 të qytetit bregdetar.

Viktimat janë Luan Curri, 36 vjeç, Andu Curri, 23 vjeçar, nipi i të parit dhe Edmond Sheme, 32 vjeç, që të tre me banim në lagjen nr 9, Durrës.

Nga hetimet e para dhe dëshmitë e vendngjarjes, mësohet se tre viktimat gjendeshin në një nga tavolinat e lokalit që shihni në foto, kur u përballën krejt papritur me të paktën dy persona me maska dhe automatikë në duar.

Atentatorët qëlluan direkt në tavolinën e tre djemve dhe i shkaktuan plagë serioze duke u shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Në pak çaste, autorët janë larguar me shpejtësi me një makinë, ndërsa në ikje e sipër kanë hedhur çantën në të cilën kishin automatikët me të cilët kryen vrasjen makabër.

Në vendngjarje u afruan forca të shumta policore të cilat krijuan një varg postblloqesh por ende nuk ka të dhëna për lokalizim të mundshëm të autorëve.

Lokali ishte në pronësi të një prej viktimave të ngjarjes.

Policia hedh si pistë paraprake hetimi, atë të larjes së hesapeve apo një hakmarrjeje të mundshme por një pistë e qartë është ende herët të ravijëzohet.

Paraprakisht, disa dhjetëra persona kryesisht banorë të zonës përreth dhe dëshmitarë në vendngjarje janë shoqëruar në polici epo ashtu mësohet se do të merren në pyetje dhe familjarë të tre të vrarëve.

a.a/e.r/NOA

KOMENTE