English

Shtyhet seanca për Aldo Baren, u largua nga salla e gjyqit se nuk ndihej mirë

Tiranë, 27 janar, NOA - Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi ditën e sotme seancën gjyqësore në ngarkim të ish-kreut të Bandës së Lushnjës, Aldo Bares, e cila në fakt u mbyll shumë shpejt pas një kërkese të bërë nga prokuroria.

Bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se i pandehuri Bare nuk e ka refuzuar këtë seancë dhe se ka qenë i pranishëm në fillim të saj, por më pas është larguar pasi deklaroi se nuk ndihej mirë.

E ndërsa seanca vijoi për pak minuta të zhvillohej pa praninë e tij, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan shtyrjen e saj në një moment tjetër.

Nga ana e tij, avokati i Aldo Bares ka kërkuar para trupit gjykues pushimin e çështjes ndaj klientit të tij, i cili akuzohet për vrasje me paramendim, mbajtje të armëve luftarake, shkatërrim të pronës me zjarr dhe krijim të një organizate kriminale.

Kjo e fundit njihet me emrin Banda e Lushnjës dhe numëron një sërë krimesh të kryera para disa vitesh.

n.e/NOA

KOMENTE