English

Ndihma për Haitin

Vetëm dhjetë vite më parë, Kosova ishte në fokus të vëmendjes botërore dhe përfitoi nga dhembshuria që tregoi bota. Duke shfaqur ndershmërinë themelore të popullit të Kosovës dhe përkushtimin e shtetit të tuaj për të qenë një qytetar i mirë global, ju u jeni bashkuar shpejt përpjekjeve për të ndihmuar në Haiti. Veprimi i shpejtë i Qeverisë suaj për të miratuar këtë dhuratë është një nder për rolin e Kosovës si partner dashamirës dhe i angazhuar ndërkombëtar

Nga Christopher Dell* Tërmeti tragjik në Haiti dhe pasojat e tij paraqesin sfidë të jashtëzakonshme për popullin e Haitit dhe tërë bashkësinë botërore. Qytetarët amerikanë, duke përfshirë edhe amerikanët kosovarë, edhe një herë dëshmuan dhembshurinë dhe zemërgjerësinë e tyre gjatë përpjekjeve për t'i shpëtuar njerëzit nën gërmadha dhe të ndihmonin të mbijetuarit - si dhe duke punuar së bashku me vëllezërit tanë haitianë që kanë marrë rrugën e vështirë të rindërtimit të vendit të tyre. Gjithashtu, ne mund të mburremi edhe me përpjekjet e qeverisë sonë. Nën drejtimin e Kryetarit Obama, ne kemi sistemuar resurse të pashembullta për të ndihmuar njerëzit e shumtë që kanë nevojë për ndihmë. Kjo reflekton më të mirën nga vlerat tona kombëtare. Ne nuk jemi vetëm. Kjo tragjedi testoi edhe një herë vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe trimërohem kur shoh se popujt dhe qeveritë nga e tërë bota sërish iu janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë. Shembull i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar: ishte 20 janari, kur kishte dhjetëra fluturime nga Brazili, Kili, Franca, Italia, Rusia dhe SHBA drejt aeroportit kryesor në Port-au-Prince. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore dhe ndihma të tjera esenciale janë duke shkuar në këtë shtet, kurse punëtorët humanitarë janë duke punuar tërë kohën që t'i shpërndajnë ndihmat atyre që kanë më së shumti nevojë. Argjentina, Izraeli, Portugalia dhe të tjerët, janë duke drejtuar spitale lëvizëse në Haiti për t'iu përgjigjur nevojave të të lënduarve të shumtë. Vetëm dhjetë vite më parë, Kosova ishte në fokus të vëmendjes botërore dhe përfitoi nga dhembshuria që tregoi bota. Duke shfaqur ndershmërinë themelore të popullit të Kosovës dhe përkushtimin e shtetit të tuaj për të qenë një qytetar i mirë global, ju u jeni bashkuar shpejt përpjekjeve për të ndihmuar në Haiti. Veprimi i shpejtë i Qeverisë suaj për të miratuar këtë dhuratë është një nder për rolin e Kosovës si partner dashamirës dhe i angazhuar ndërkombëtar. Në mënyrë të ngjashme, trupat tuaja janë duke shërbyer në Haiti me MINUSTAH (Misioni Stabilizues i Kombeve të Bashkuara në Haiti). Prania e OKB pati humbje tragjike të personelit gjatë tërmetit. Ata janë rrëzuar, por nuk janë të përfunduar. Me ndihmën e disa trupave nga Kosova, MINUSTAH është duke punuar në mënyrë energjike dhe fleksibile për të ofruar siguri në mënyrë që përpjekjet humanitare të jenë të suksesshme. Është vështirë të kuptohet shkalla e fatkeqësisë. Me 25 janar, Ministri Haitian i Komunikimeve deklaroi se numri i të vdekurve është mbi 150 mijë. Sipas OKB, më shumë se 692.000 njerëz janë të zhvendosur vetëm brenda rajonit metropolitan të Port-au-Prince-it. Ndihma është duke arritur te populli i Haitit. Dhe vetë haitianët janë duke i drejtuar këto përpjekje. Rindërtimi i vendit të tyre nuk nënkupton vetëm ndihmën ndërkombëtare: ajo ka të bëjë edhe me ndihmën që vetë haitianët ua japin haitianëve, ndihmën që fqinjët ua japin fqinjëve. Ne kemi parë se bashkësia haitiane e bën pikërisht këtë. Ata janë duke u bashkuar që të këndellen dhe të rimëkëmben. Bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t'i ndihmojë ata në këtë punë. Jam i bindur se SHBA-të dhe Kosova do të mbeten të angazhuara. Njëjtë keni bërë edhe kur ndodhën vërshimet në Shqipërinë fqinje, me ç'rast populli dhe Qeveria e Kosovës reaguan me shpejtësi dhe zemërgjerësi ndaj atyre që kishin nevojë. Ne përshëndesim kontributet tuaja të rëndësishme në këtë përpjekje e cila do të përforcojë edhe më tepër pozitën e Kosovës si aktore përgjegjëse dhe e përgjegjshme në skenën botërore. Shtetet e Bashkuara presin që të punojnë me Kosovën ne ofrimin e ndihmës dhe dhembshurisë për popullin e Haitit. (*) Autori është Ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

KOMENTE