English

T'i jepet fund përndjekjes së Albin Kurtit

WRI kërkon t'i jepet fund përndjekjes së Albin Kurtit dhe që EULEX-i t'i respektojë ata brenda Kosovës që kritikojnë institucionet ndërkombëtare aty, duke përfshirë edhe kritikët jashtëparlamentarë që dëshirojnë të përdorin mosbindjen civile

Nga Howard Clark*

Më 10 shkurt 2007 policia e Misionit të OKB-së në Kosovë shtiu me plumba gome dhe plastike drejt një demonstrate të paarmatosur në Prishtinë duke vrarë dy njerëz. Policët e implikuar në këtë rast tani janë kthyer në vendin e tyre, në Rumani, pa dhënë llogari për veprimet e tyre.

Tani EULEX-i, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ka rihapur procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit, përfaqësuesit të lëvizjes Vetëvendosje!, e cila kishte organizuar demonstratën.

Kurtin e pret një seancë dëgjimore më 15 shkurt, pasi ka kaluar pjesën më të madhe të 2007-ës ose në paraburgim ose në arrest shtëpiak. Ai pastaj ishte akuzuar për "përpjekje për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe/ose dëmtim të gjerë të pronës", për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës së tyre, dhe për nxitje të njerëzve për të çarë kordonin policor.

Rasti ishte shtyrë në fillim të 2008-ës kur Oda e Avokatëve të Kosovës kishte refuzuar bashkëpunimin në këtë rast, por tani duket se EULEX-i po e rihap pa bërë asgjë për të kompensuar familjet e të vrarëve ose për të rihapur hetimet për veprimet e policisë.

War Resister's International - organizatë paqësore me më shumë se 80 organizata anëtare në më shumë se 40 vende, që është duke mbajtur tani asamblenë e saj të katërt në Ahmedabad, Indi, proteston kundër keqtrajtimit të një aktivisti shoqëror që ka mbajtur lidhje me ne që prej vitit 1997.

Kjo është në kontrast të thellë me mungesën e llogaridhënies që kanë gëzuar anëtarët e administratës së mëparshme të OKB-së, UNMIK, duke përfshirë edhe ata që kanë vrarë njerëz të paarmatosur ose ata që janë kthyer në vendin e tyre të dyshuar për korrupsion.

WRI kërkon t'i jepet fund përndjekjes së Albin Kurtit dhe që EULEX-i t'i respektojë ata brenda Kosovës që kritikojnë institucionet ndërkombëtare aty, duke përfshirë edhe kritikët jashtëparlamentarë që dëshirojnë të përdorin mosbindjen civile.

(*) Deklaratë në emër të organizatës "War Resisters International" lidhur me procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit, dërguar nga autori, hartues i librit "Civil Resistance in Kosovo" (Rezistenca qytetare në Kosovë)

KOMENTE