English

Berisha: HEC i Skavicës të ndërtohet, do prodhojë 350-400 megavat

Tiranë, 3 shkurt, NOA - Hidrocentrali i Skavicës është një projekt që duhet mbëhstetur dhe realizuar pasi jo vetëm që shton rreth 350-400 Megavat prodhim të energjisë elektrike, por përmes tij do të optimizohet edhe tërë funksionimi i kaskadës. "Në rast se këtë janar, pavarësisht nga fatkeqësia natyrore, KESH ia doli të prodhojë një sasi të paprodhuar kurrë më parë, rreth 700 milionë kilovat/orë, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës këtë prodhim e bën të mundur në tërësi, pa dallim të madh në kohë. Janë mbi 1 miliard kilovat/orë energji elektrike që do të prodhohen më shumë nga ky hidrocentral", tha lidhur me një fakt të tillë, kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Sipas tij, ky projekt ka rreth 30 vite që po qarkullon në të gjitha kabinetet qeverisëse të këtij vendi.

"Qeveria e mëparshme kishte firmosur një memorandum mirëkuptimi me një nga kompanitë më serioze energjetike në Itali dhe grupit më serioz financiar. Qeveria jonë vendosi ta njohë këtë vendim dhe e shndërroi në pas në një tender që kjo kompani e fitoi. Por ajo pati një problem me ortakët, se ishte konsorcium, ndërkohë që edhe mendimi i ekspertëve evoluoi lidhur me përmasat e digës dhe të sipërfaqes së liqenit", tha më pas Berisha duke sqaruar etapat e ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Sipas tij, tani ekziston alternativa e rihapjes së tenderit, ose marrjen përsipër të ndërtimit të këtij HEC-i nga vetë qeveria shqiptare. Kostoja e tij do jetë gjysmë miliardë euro.

n.e/NOA

KOMENTE