English

Përmbytjet, dëmi në bujqësi arrin 12 milionë USD

Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar se çmimi i drithërave do të llogaritet me 3 000 lekë për kv, qepa e njomë 5 000 lekë për kuintal, ndërsa sallata e serës do të llogaritet me 10.000 lekë. Një pulë do të kushtojë 1000 lekë të reja, një dhi 12 000, ndërsa një mëshqerrë 110.000 lekë të reja

Tiranë, 3 Shkurt NOA/Rajmonda Lajthia - Tre javë pas përmbytjeve në Shkodër e Lezhë, dëmet e shkaktuara në bujqësi dhe blegtori llogariten në një shumë paraprake prej 12 milion USD, për 250 familje të dëmtuara.

Në këtë shifër nuk përfshihen dëmet në banesë. Lajmin e bën publik zëvendësministri i bujqësisë Ndoc Fasllia, duke folur me agjencinë NOA.

Por në një kohë që qeveria ka parashikuar kompensim me vlerën e tregut të çdo dëmi, banoret ankohen se vlerësimet nga ana e komisioneve nuk janë reale.

Çmimet me të cilat do të dëmshpërblehen të prekurit janë ndarë në tre sektorë bujqësi, blegtori dhe pemëtari.

Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar se çmimi i drithërave do të llogaritet me 3 000 lekë për kv, qepa e njomë 5 000 lekë për kuintal, ndërsa sallata e serës do të llogaritet me 10.000 lekë.

Sipas Fasllisë, për sa i përket dëmeve në gjënë e gjallë, çmimet variojnë nga 100 lekë që kushton një zog, deri në 140 mijë lekë ku përfshihen lopët.

Një pulë do të kushtojë 1000 lekë të reja, një dhi 12 000 lekë, ndërsa një mëshqerrë 110.000 lekë të reja.

Për sa i përket dëmeve në pemëtari Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar se çmimi do të variojë nga 1500 lekë deri në 12.700 lekë për një rrënjë ulliri.

Por përjashtim nga kompensimi do të bëjnë vetëm ato biznese të cilat nuk janë të liçensuara dhe nuk paguajnë tatime.

"Nuk është kusht që bizneset bujqësore të jenë të licensuara, pasi ne e dimë që infomaliteti në bujqësi është i lartë, por për sa i përket aktiviteteve të tjera që përfshijnë makineri e pajisje, ato do të jenë objekt i konstatimit me degën e tatim taksës", - shprehet Fasllia.

Vendimi i qeverisë parashikon që çdo familje do të marrë nga 50 deri në 200 mijë lekë, vetëm për dëmet që kanë pësuar nëse pajisjet elektro-shtëpiake dhe mobilje.

Deri tani janë verifikuar dëmet në 1mijë familje dhe kanë mbetur edhe 1500 të tjera, më pas pritet të nisë faza e dytë ajo e dëmshpërblimit financiar.

r.l/e.n/NOA

KOMENTE