English

PS: Punësimi në krizë, Berisha nuk e mbajti premtimin

Tiranë, 3 Shkurt NOA - Një nga problemet thelbësore me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët, është punësimi. Premtimet për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos gjatë fushatave elektorale, bëhen gjithmonë e më të shpeshta.

Në kushtet kur Shqipëria, përveçse e zhytur në një krizë politike, përballet dhe me një krizë të thellë ekonomike, ku çmimet janë rritur, monedha vendase është nënçmuar, disa nga shërbimet bazë si energjia elektrike është shtrenjtuar.

Këto fakte kanë bërë që Partia Socialiste të shtrojë sot pyetjen se çfarë po ndodh me punësimin.

Mimi Kodheli, deputete e PS, në një dalje për mediat sot pas mesdite, kujtoi faktin se Sali Berisha u premtoi shqiptarëve gjatë fushatës së fundit zgjedhore krijimin e 160 mijë vendeve të reja të punës, e cila mesatarisht do të thotë 40 mijë vende të reja pune çdo vit. Në të njëjtën kohë, - tha Kodheli, - Berisha ka mohuar ekzistencën e krizës ekonomike, madje ka pohuar se ekonomia e vendit është premtuese dhe se gjatë vitit 2010 nuk do të ketë asnjë pasojë negative mbi ekonominë shqiptare.

Kodheli kujtoi se sipas premtimit të Berishës, gjatë gjashtëmujorit të parë të qeverisjes së tij, duhet të ishin hapur 20 mijë vende të reja pune.

Por në të vërtetë, - tha ajo, - ka ndodhur krejt e kundërta: "Në periudhën shtator - shkurt, jo vetëm që punësimi nuk është rritur me 20 mijë vende të reja punë, por në realitet, të dhënat tregojnë se punësimi u zvogëlua me 2,300 vende pune".

Në këtë pikë, Kodheli theksoi se ekonomia është në krizë dhe fatkeqësisht këtë krizë që po e ndiejnë në kurriz të gjithë shqiptarët, krizë të cilën qeveria Berisha refuzon ta pranojë, njësoj si krizën politike, këtë krizë shumëdimensionale që ka përfshirë thellësisht vendin.

"Shqiptarët sot janë më të varfër dhe më të papunë dhe kjo është vetëm pasojë e keqqeverisjes se Sali Berishës", akuzoi Kodheli.

e.r/NOA

KOMENTE