Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Boom -i i madh afrikan
English

"Boom"-i i madh afrikan

"Black New Wave". Është një "booom". Ekspozitat, muzetë, showroom-et dhe librat celebrojnë veprat e artistëve afrikanë për nga lindja, nomadë për nga zgjedhja

Nga Alessandra Mammì*

Askush nuk ëndërron të flasë për artin aziatik duke vënë në një vend japonezët dhe iranianët. Askush s'mund të mendojë se një artist njujorkez dhe një brazilian janë eksponentë identikë të artit amerikan. E atëherë pse në emër të ‘artit bashkëkohor afrikan' shumëfishohen ekspozitat bredhëse, katalogët e patinuar, koleksionet milionëshe, panairet e dizajnit, showroom-ët plot me mobile të ngjyrosura nga format e bollshme? E megjithatë Afrika është e madhe. Më shumë se 30 milionë kilometra katrorë. 20 për qind e tokave të planetit. Një e shtata e popullsisë së botës. Shkretëtira. Oqeane. Linja e ekuatorit. Pyjet ujore. Tepër mall për ta ngulfatur në një shishe kreativitetin e aq njerëzve të ndryshëm. Atëherë më mirë të arsyetojmë brenda një muzeu si ai në lulëzim e sipër në Washington kushtuar afro-amerikanëve: një piramidë e përmbysur befasuese e rimbuluar nga llamarina shkëlqyese që ndërrojnë ngjyrën mbi modelin e kapelës së një prijësi tribu. E ka projektuar me të tjerët, David Adjaye arkitekt (ka studiuar në Britani, por i lindur në Tanzani), i cili me tërë këtë ndërtesë ka dashur t'i bëjë homazh shpirtit afrikan "mjeshtëror, të jashtëzakonshëm, triumfues dhe dinjitoz", fjalët e tij. Të paktën kjo seri mbiemrash është një shenjë për të mos u humbur në pafundësinë e kontinentit. ‘Mjeshtëror' si instalacionet e Georges Adéagbo, lindur në in Benin. Një triumf i varfërisë baroke të përbërë nga copëzat e gazetave, manifesteve dhe objekteve të gjetura nëpër arkëza, vepër e artistit më politik të Afrikës perëndimore, ende aq i tërbuar ndaj kolonizatorëve sa ‘Historinë e të kolonizuarve' ta shndërrojë në objekt të një ekspozite personale në Mak të Vjenës. ‘Triumfues dhe i jashtëzakonshëm': si Pascale Marthine Tayou, buzëqeshës e korpulent, artist poliedrik që nga Kameruni ka vënë rrënjë në Gent dhe që qysh në moshën 42 vjeçare gëzon tashmë një korrikulum prestigjioz ndërkombëtar. Një djalosh me ide të larta, e kur bën një vepër rindërton një fshat të tërë afrikan dhe e stërngop me muzikë dhe video diskoteke, duke thënë për veten: "Jam si një thes plastike plot dhe bosh në të njëjtën kohë, objekt në transformim të përhershëm, universal në dobishmërinë dhe padobishmërinë e vet". Po dinjiteti? Duhet të kërkohet mes fotografëve. Atyre që qysh nga shek XIX i kanë bërë të pavdekshme familjet afrikane punëtore apo të borgjezisë së vogël, rigjide në veshjet e festës, me shikimin e mprehtë dhe krenar drejt makinës dhe në pozicion të ngrirë si në portretet me vaj të National Portrait Gallery të Londrës. Santu Mofokeng, lindur në Soweto dhe i celebruar si njëri nga fotografët më të vetëdijshëm dhe radikal në botë, ka bërë një punim konceptual duke i përmbledhur në një black album, titulli ‘'Look at me 1890-1950'. Por black pride-i arrin edhe nga afro-glamour-i i ri, i tëri e stofa të ngjyrosura dhe sende të ekzagjeruar nga plastika dhe xhamat e shisheve me të cilin kamerunasi Samuel Fosso pavdekëson pionierët e stileve, të jashtëzakonshmit si rockstar-ët apo fashion icons-at. Është krenaria i një toke që rivendikon hapësirën e tij kulturore-globale dhe i pavdekëson në tableaux vivants të nigerianit Rotimi Fani-Kayode ku modelet e zi në të kuqe drap u japin fytyrë Krishtave dhe Apostujve të Rilindjes afrikane në akt. Planetar në pikën që kufijtë, qoftë edhe të ekzagjeruar të kontinentit, janë afër-afër new wawe-t. Dhe ja: një ‘ide e Afrikës' e re shprish dhe kontaminon Perëndimin falë artistëve që deklarohen afrikanë po ndërkohë studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Belgjikë, ShBA, Paris apo Londër. Pothuajse të gjithë me identitet dhe pasaportë të dyfishtë, fitojnë konkurse të arkitekturës, luajnë rolin e dyfishtë nëpër bienale dhe bartin shenjat e një gjuhe që ndërmban energji, tërbim dhe ngjyrë në kulturën vizive perëndimore. Pra: si mund të flitet për ‘art bashkëkohor afrikan' dhe të reduktohet në një formulë kaq gjenerike? Pyetjen ia bëjmë një kuratori të fuqishëm si Okwui Enwezor, autor i 'Contemporary African Art since 1980', libër 500 faqesh dëng me foto, bibliografi dhe ese prej artit te historia. Okwui personalisht është simbol i sinkretizmit. Lindur në Nigeri, si 21 vjeçar arrin në Nju Jorkun, fillimvitet '80, që shpërthen nga pikëpamja artistike dhe ekzistencial-mondane mes Village dhe Soho. Ishte Manhattani euforik i Warhol-it të fundit dhe Basquiat-it që po dilte në sipërfaqe: festa, tregje dhe kampanja. Në këtë klimë - rrëfen Francesco Bonami që e njohu në atë kohë - para galerive, Okwui ffrkuenton butikët e Parachute, Zoot, Comme des Garçons duke u bërë simbol i elegancës ekscentrike dhe personazh që duhej ‘të njihej absolutisht'. Aq më tepër që Bonami nuk ishte (dhe nuk është) vetëm një kritik arti,por poet, shkrimtar, militant dhe storyteller. Mbrojtja e artit të Afrikës dhe të zinjve të botës, bëhet flamuri i tij. E karriera e tij shpërthyese do të jetë fushëbeteja e tij. "Vetëdija ime etike afrikane dhe realiteti im i përditshëm perëndimor janë përzier në një ‘yjësi postkoloniale'", thotë për veten. Me këtë shikim të çartur kompilon katalogun e asaj që artistikisht ndodh në kontinentin e tij post-kolonia. "Jo një definicion, por një hartë. Përpjekje për të dhënë në mënyrë topografike llogari për atë se ku dhe si veprojnë artistët afrikanë në skenën ndërkombëtare". Që të gjithë autorë të cilët që nga viti 1980 deri më sot janë bërë padronë të mjeteve teknike dhe gjuhëve në gjendje që ta përfshijnë dhe elaborojnë çdo instancë që shfaqet në universin e artit global. Atë folklor me ngjyra të zotërinjve të portretizuar naiif nga kongolezi Chéri Samba apo të skulpturave të Demba Camara, në gjeneratat e reja shndërrohen në video, foto, performacë, instalacione që i përdorin ngjyrat dhe alfabetet e origjinës jo më si armë të joshjes drejt Perëndimit, por si tulla të një estetike të re. "Rrënjët e mia janë afrikane, kjo është Dna ime artistike, fati im lind nga të jetuarit në Londër", ka thënë arkitekti Adjaye: "Në Washington do të lindët një hapësirë reflektimi mbi krenarinë e të qenit afrikan apo afro-amerikan. S'ka të bëjë asgjë me muzeun e Holokaustit në Berlin, kurrfarë celebrimi të traumës. Dua një muze pozitiv, simbol të pastërtisë dhe rilindjes". E drejtë: këtë herë s'ka viktima që duhet përkujtuar, por një fitore që duhet festuar. Fitorja, për më tepër estetike, e një kontinenti që qysh nga kohët e skulpturës primitive të rënë në duart e Braque dhe Picasso-s, e ka ushqyer ciklikisht imagjinatën perëndimore. Megjithatë, tash Afrika pretendon një rol protagonisti. Dhe do ta ketë: falë rrënjëve të veta, energjisë së artistëve të vet të shpërndarë nëpër botë dhe atij karakteri gjithnjë të njohshëm. Është një fakt: nëse gjendemi përballë një kuadri, objekti, skulpture apo arkitekture ‘mjeshtërore', të jashtëzakonshme, triumfuese apo dinjitoze, me gjasë është vepër e një afrikani. Mund të betohemi.

(*) L'Espresso

KOMENTE