English

Për herë të parë në Shqipëri, nis procesi i emetimit të Eurobonos

Tiranë, 6 Shkurt NOA - Ministria e Financave, njofton mbylljen me sukses të fazës së parë të procesit të emetimit të Eurobonos, që konsistoi në marrjen e ofertave nga institucione financiare ndërkombëtare.

Plot 15 banka prestigjioze ndërkombëtare me aktivitet të zgjeruar në tregun e kapitaleve kane paraqitur ofertat e tyre, të cilat MF tha se do të vlerësohen nga Ministria e Financave, për të short-listuar 4-5 ofertat më të mira, të cilat do të vazhdojnë më tej konkurrimin.

Procesi i emetimit të eurobonos së parë të Shqipërisë, si procesi më i rëndësishëm ndonjëherë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë, startoi në fillim të Janarit me publikimin e Kërkesave për Ofertë nga Ministria e Financave.

Institucionet konkurruese patën afat deri në datën 5 Shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Interesi i tregut për të menaxhuar Eurobonon rezultoi të ishte masiv, çka është e dukshme edhe nga numri shumë i lartë i ofertave të paraqitura.

Ministria e Financave synon të përfundojë procesin e emetimit brenda muajit Maj, kohë qe korrespondon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar, dhe na jep mundësinë të shlyejmë këtë kredi dhe ta zëvendësojmë me Eurobonon, e cila do të ketë normë interesi cilësisht më të ulët.

Eurobonoja do te emetohet për një vlere prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale, dhe pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit.

Ministria e Financave do të vijojë të informojë publikun hap pas hapi për procesin e emetimit të Eurobonos, deri në realizimin e suksesshëm të saj.

e.r/NOA

KOMENTE