Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Letër Fatmir Sejdiut
English

Letër Fatmir Sejdiut

Letra ime për ju, President Sejdiu, mund të konsiderohet e virgjër për nga kërkesat, tendencat dhe malicioziteti, krahasuar me letrat që kohëve të fundit i keni pasur nëpër duar dhe nëpër këmbë

Nga Berat Buzhala*

Fillimisht dëshiroj t'i kërkoj falje mikut tim nga e përditshmja Zëri, Beqë Cufajt, që po i përzihem në fahun e tij - dërgimin e letrave të hapura. Por, përpara meje ketë mënyrë të komunikimit, në këtë vit ende shumë të ri, e kanë zgjedhur plot personalitete të tjera, prandaj po besoj se një letër më shumë a më pak nuk e ndotë më shumë a më pak ambientin politiko-medial të këtij vendi. Tashmë disa letra janë nisur, disa të tjera po nisen, e tek-tuk ndonjë ka mundur të mbetet nën pragun e selive të partive politike. Ndoshta në mëngjes kur Lideri shkon në zyre, i gjen ato. Varet prej tij, nëse do t'i lexojë, apo do t'i fërfëllojë në shportën më të afërt. Qëllojani kujt po i drejtohem? Sigurisht që kjo do të konsiderohej pyetja më e lehtë në secilin kuiz për fillestarët e politikës. Në ketë stinë postzgjedhore letra i drejtohen vetëm partisë së Presidentit Fatmir Sejdiu. Ndryshon vetëm përmbajtja e letrës. Varësisht prej zorit që e kanë shkruesit. Dikush provon që përmes një letre të vetme të vijë në pushtet, e dikush përmes një letre të vetme shpreson që do të arrijë politikisht më shumë sesa ka arritur për 20 vjet me radhë. E shohin politikën si një lojë "Gërvisht dhe Fito". Letra ime për Ju, President Sejdiu, mund të konsiderohet e virgjër për nga kërkesat, tendencat dhe malicioziteti, krahasuar me letrat që kohëve të fundit i keni pasur nëpër duar dhe nëpër këmbë. Konsiderojeni të sinqertë dhe dashamirëse, se si ju mund ta shpëtoni partinë prej recesionit pa pasur nevojë që paraprakisht të pajiseni me paterica politike, qofshin ato pro-europiane apo anti-europiane. Por, paraprakisht duhet të më premtoni (po bije fjala), se do ta bëni një akt burrëror, ose presidencial: Mblidheni afër vetës Kryesinë e partisë, shikojeni në sy njëri tjetrin dhe pranojeni humbjen e zgjedhjeve lokale. Nuk keni nevojë që ta bëni ketë gjë publikisht, sepse nuk iu lejohet. Pastaj, hapni të gjitha letrat që kohëve të fundit u kanë ardhur në zyre dhe shqyrtojini nga një nga një. Por, përpara se t'i lexoni ato, është mirë ta dini motivin e dërgimit të secilës letër. Pra, pse një lider politik ua dërgon një letër - ultimatum - ku mungonte vetëm edhe fjalia monumentale prej filmit "Godfather": "Unë do t'ia bëj atij një ofertë që nuk mund të refuzohet". Ose, pse një lider tjetër politik, partia e të cilit qartazi po shihet se tashmë e ka blerë biletën njëkahëshe, në depresion e sipër, propozon forma elegante të bashkëpunimit si ato të CDU-CSU? Kurse, tash po dëgjoj edhe zëra që disa kufoma politike kanë shprehur dëshirën që duke e shfrytëzuar disponimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t'u hapur për kuadro të reja, të gjejnë azil në vagonin tuaj. Krejt kjo ofensivë e ka vetëm një kuptim: Të gjithë këta bashkë e konsiderojnë LDK'në parti që në të ardhmen mund të ngjallet, por që për momentin i ka humbur jo fija, por lëmshi. E pranoj që ofertat e tilla ndonjëherë janë shumë tunduese. Jemi njerëz prej mishit dhe prej gjakut dhe dëshirojmë që rruga deri tek suksesi të jetë shumë e shkurtër. Mundësisht njëditore. Mundësisht t'i zgjidhim problemet me vetëm një nënshkrim të një letre që të tjerët na servojnë paradite, dhe ne e nënshkruajmë pasdite. Por, rrëfime të tilla më ngjajnë shumë me e-mailat që vijnë prej Nigerisë ose Zimbabvesë, ku dërguesi i e-mailit të fton që 10 milionë dollarë, trashëgim prej babait të vdekur, t'i ndajë përgjysmë më dikë, sepse ai e ka një problem me bankën dhe me regjimet diktatoriale. (Derisa po shkruaja ketë shkrim, me erdhi një ofertë joshëse prej z. Francis Aliu, nga Burkina Faso, që dëshiron t'i ndajë më mua 10.5 milionë dollarët e një klienti të bankës së tij që paska vdekur). Këta mashtrues elektronikë paraprakisht e kanë vetëm një kërkesë të vogël: që ti t'ua depozitosh 300 mijë euro, e mandej fillon ndarja e hises së vërtetë. Pak a shumë kjo formë e bashkëpunimit dhe partneritetit i ofrohet edhe LDK'së. Zgjedhjet e përgjithshme, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mbahen ketë vit. Siç do të thoshte gjatë fushatës zgjedhore Joe Biden, zv.president i SHBA've, duke cituar babanë e tij - për një person, apo për një komb, pse jo edhe për një parti, nuk është e rëndësishme "sa herë rrëzohet, por sa shpejt ngritet". Z. President, LDK'ja në dy palë zgjedhjet e fundit është rrëzuar. Mirëpo, është në dorën tuaj se në çfarë rruge dëshironi ta ngritni në këmbë: me aventura njëditore, apo me punë të vërtetë në të gjitha nivelet. Jeta na ka mësuar të gjithëve, z. President, se në ketë botë askush nuk është i pazëvendësueshëm. Fatkeqësisht as ju, e as anëtarët e Kryesisë, e posaçërisht nuk janë sabotatorët, që oksigjen të jetës së tyre i kanë skemat piramidale politike. Prandaj, ju z. President, gjatë aktiviteteve tuaja shkrirëse brenda LDK'së, këto ditë më së shumti kujdes duhet të keni jo prej atyre që i nisin letrat, por prej atyre që i keni brenda partisë dhe i negociojnë këto letra. Nëse LDK dëshiron që një ditë të jetë partia e parë në vend, atëherë këtë nuk mund ta bëjë duke importuar figura të shpenzuara politikisht (Teuta Sahatçija, Agim Çeku), as duke u dorëzuar përpara presionit nënshtrues të AAK'së, por as duke i varur shpresat krejtësisht në familjen Rugova. As Ukë Rugova, e askush në këtë botë nuk e ka në dorë çelësin e fitores për partinë tuaj. LDK duhet të shikojë brenda vetes që të gjejë figura të reja, duke hequr dorë njëherë e mirë prej parazitëve dydekadësh që bëjnë sehir në Kryesinë e saj. Ky proces fillimisht duket i dhimbshëm, por nuk ka rrugë tjetër që do ta shpinte LDK'në me optimizëm drejt zgjedhjeve të ardhshme. Prandaj, z. President, mos e pritni fushatën zgjedhore, sepse atëherë jeni lehtë të shantazhueshëm. Tash është momenti, që duke i injoruar të gjitha letrat, ta filloni procesin e reformimit të brendshëm. Nëse mendoni që me fytyra të vjetra të shkoni në zgjedhje të reja, do të rrëzoheni edhe për të tretën herë. Këtë herë - përfundimisht.

(*) Kryeredaktor, "Express"

KOMENTE