English

Portret/ Profesor Nasho Jorgaqi: Jam mes studimit dhe krijimit

Nga Milena Selimi

Tiranë, 13 shkurt, NOA - Profesor Nasho Jorgaqi është i njohur në fushën e studimeve e në të njëjtën kohë, edhe në atë të krijimeve. Nuk di të ndalet, dhe së shpejti përgatitet me një botim të ri. Ka krijuar dhe ka bërë studime. Krijimi letrar dhe studimi janë dy elementët e qenësishëm të cilët jo vetëm e dominojnë por edhe përcaktojnë prej vitesh punën e profesorit të njohur, Nasho Jorgaqi. Në rrëfimin e tij të thjeshtë, pa stisjen e zakonshme të njerëzve me kaq spaleta, mund të gjesh njëkohësisht rrëfimtarin e udhëve, shkrimtarin, studiuesin dhe kuptohet se zhanret e humbasin vetvetiu formën.

Studimi i thellë dhe me aparat shkencor për letërsinë shqipe dhe çështjet e saj estetike por dhe udhë-përshkrimet e tij, e kanë bërë që të njohë raste dhe histori të gjalla për çdokënd prej letrarëve.

"Çlirimi i Shqipërisë e gjeti vendin me shumë pak autorë. Një nga këta ishte Ernest Koliqi, një prozator i mirë, por që tash kishte marrë arratinë. Koliqi kishte një stof të veçantë rrëfimtari dhe bënte lidhjen e vërtetë të asaj force të letërsisë evropiane, ku gjendej letërsia psiko-analitike. Kishte ndikim shumë nga D'Anunzio, ndërsa më vonë pas Luftës proza dhe poezia e tij më kanë zhgënjyer...".

Profesor Nasho Jorgaqi ka qenë drejtues në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri" i disa prej më të mëdhenjve shqiptare të letrave; ka bërë studimin më shterues kushtuar Nolit; "Mërgata e Qyqeve" në dy vëllime ka qenë për shumë kohë një nga best-sellerat shqiptarë të të gjithë kohërave; kurse skenarët e ‘Tanës' (filmit të parë shqiptar), ‘Duelit të Heshtur', ‘Mimoza Llasticës'., etj do mbahen si disa nga krijimet më të mira të historisë së kinematografisë kombëtare.

Por, nuk ka vend për lavdërim. Do e ndjente këtë, kur shumë kohë më pas u ribotua libri i tij i parë "Dashuria e Mimozës". U prit mirë dhe inkurajimi e bëri, që të besojë se puna e tij s'kishte kohë. Por, edhe pakënaqësia ndaj vetes. "Në momentin që do më pëlqejë vepra ime atëherë padyshim do them se tashmë diçka nuk shkon".

Pedagogu i letërsisë shqipe, që do pensionohej jashtë dëshirës së tij më vitin 1993, siç mund të kuptohet lehtë është shumë i dedikuar pas letrave shqipe dhe jo vetëm atyre. Falë kësaj pune të paepur studimore, lexuesi shqiptar ka "Antologjinë e Mendimit Estetik shqiptar 1504-1944" (1979); "Estetikën e fjalës shqipe", "Probleme dhe profile letrare", "Siluetën letrare", dy antologjitë në gjuhë të huaj, botuar së fundi etj..etj...Por, padyshim puna më titanike që i ka kushtuar mbi njëzet vjet punë, kërkime, gjurmime dhe studime ishte ajo që lidhej me figurën poliedrike të Fan Nolit.

I duhej të ringjallte një njeri si Noli që kishte jetuar në katër kontinente, në tre epoka dhe kishte kontribuar njëkohësisht në disa fusha. Hija e rëndë, por më shumë thellësia e mendimit të Nolit, nuk përbënte më angazhim por sfidë për Profesor Nasho Jorgaqin, që e solli pak vjet më parë në dy vëllime.

Ndërsa, veprimi i tij më i madh aktiv do mbetej udhëtimi dhe kërkimi në kohë, i figurave, që pastaj do t'i ringjallte përmes udhë-përshkrimeve dhe studimeve të tij. "Jam i bindur se e kam lexuar krijuesin tim dhe kjo është aq e rëndësishme sa dhe vepra që kam shkruar". Më poshtë shton:"Jam mes krijimit dhe studimit. Ato e kanë ndihmuar njëra-tjetrën dhe kanë penguar, kur ndokush e ka tepruar sadopak. Krijimi i ka dhënë krahë shijes së të bukurës, ndërsa gjuha e pastër e studimit ka bërë të njoh faktin. Jo të fluturoj".

Disa nga punët e tij

"Dashuria e Mimozës" - 1960 "Ëndrra dhe plagë"

"Mërgata e Qyqeve" "Atentatori i Perandorit" "Manastiri i dashurisë" "Tomka" - 1968 "Tregimet e mbrëmjes" - 1972 "Antologji e mendimit estetik shqiptar" - 1979 "Poetika e dokumentit" - 1987 "Udhëtim me Fan Nolin" - 1995 "Larg dhe afër".

Në disa nga botimet e tij shkencore përfshihen: "Antologji për Skënderbeun" (1968), "Antologji e mendimit estetik shqiptar" (1504-1944), 1994 "Udhëtim me Fan Nolin", (1995) "Estetika e fjalës shqipe", (studime, artikuj, ese, 1995) "Portrete dhe gjurmime" (artikuj dhe studime letrare, 2002) Skenaret "Tomka dhe shokët e tij" (1977) "Mimoza llastica" (1973) "Duel i Heshtur" (1967) "Tana" (1958)

m.s/NOA

KOMENTE