English

Konfindustria: Amnistia fiskale të përfshijë jo vetëm bizneset por dhe qytetarët

"Parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20 vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar"

Tiranë, 14 Shkurt NOA - Konfindustria kërkon që shteti të ndërmarrë amnisti fiskale ndaj qytetarëve shqiptarë me qëllim që të garantohen pronat e tyre. Kërkesa e Konfindustrisë vjen pak pasi në Shqipëri hyri në fuqi ligji Antimafia që nëse zbatohet, rrezikon shumë pasurinë e vënë më së shumti nga pasanikët e 20 viteve të fundit, përmes trafiqeve, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustria ka shprehur sot kënaqësinë e pranimit në parim të hapjes së debatit për amnistinë fiskale nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet shprehjes publike nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode, por njëkohësisht, shprehet kundër kufizimit të amnistisë vetëm ndaj bizneseve dhe lënien jashtë të qytetarëve shqiptare.

"Konfindustria shpreson, se përqendrimi i sqarimit publik të Ministrit të Financave ne parashikimin e amnistisë fiskale vetëm për kategorinë "biznese" dhe duke mos përmendur përfshirjen në procesin e sipërpërmendur edhe të "qytetarëve" shqiptarë, ishte vetëm një harresë e ndodhur për shkaqe kohore dhe nuk paraqet qëndrim të paracaktuar të ekzekutivit", - vlerësoi sot Buxhuku.

Buxhuku sqaroi se "Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së Amnistisë Fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së "biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim.

"Parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20 vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar", ka paralajmëruar Buxhuku.

Ai pohoi se qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na ka prekur ndjeshëm dhe qartë.

Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin patur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale, detajoi Buxhuku.

Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptarë, janë pikërisht kategoria, që për vite me radhë nuk iu është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre sikurse ndodh në të gjithë vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kanë patur me kohë një mundësi të tillë, kujtoi z.Buxhuku, duke shtuar këtu "dhe faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem do të ishte krejtësisht e papranueshme përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të zotëruesve të kapitaleve "qytetarëve", që mund të formalizohen".

Buxhuku lajmëroi se Konfindustria, në bashkëpunim me partnerët e saj nga vendet e BE me përvojë në fushën e amnistisë fiskale, po përgatit projektin e faljes fiskale, që shpejt do t'i paraqitet institucionalisht Qeverisë Shqiptare dhe publikut në përgjithësi.

"Projekti i Konfindustrisë ka si një nga shtyllat kryesore përfshirjen në proces në mënyrë të njëkohshme të qytetarëve dhe biznesit pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë do të shpresojmë se mund të kryejmë një proces të suksesshëm dhe me vlerë për mbështetjen e ekonomisë kombëtare në tërësi në çastet e vështira që po kalojmë", - theksoi z. Buxhuku.

e.r/NOA

KOMENTE