English

Kreu i Parlamentit slloven: Do punojmë që vizat për Shqipërinë të hiqen brenda vitit

Lubljanë, 14 shkurt, NOA- Sllovenia do të lobojë në strukturat e Bashkimit Europian që vizat për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të hiqen gjatë këtij viti.

Kjo garanci i është dhënë zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së Sllovenisë, Pavel Gantar.

"Gantar shprehu mbështetjen e Sllovenisë për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar bindjen e tij se zgjerimi i BE duhet të vazhdojë drejt Ballkanit Perëndimor dhe pa vonesa. Në këtë kuadër, Dr. Gantar tha se Sllovenia do të punojë fort që liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të ndodhë këtë vit dhe se ajo do të jetë e gatshme të ndihmojë me ekspertizën e saj gjatë proçesit të integrimit evropian", thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtëme për takimin mes Metës dhe Gantar.

Në fjalën e tij në takim, Meta, pasi shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë në Parlament, i shprehu Dr. Gantar besimin se ky do të jetë një vit i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve Shqiptaro-Sllovene. Ai theksoi se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë do të shërbejë shumë në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes, veçanërisht atij ekonomik.

Gjithashtu, dy politikanët diskutuan mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në mënyrë që ato të arrijnë të njëjtin nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve.

Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, kreu i diplomacisë shqiptare, Meta shtoi se së shpejti të dy vendet do të mbledhin Komisionin e Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike, i cili do t'i shërbejë bashkërendimit të punës për përmirësimin konkret të bilancit tregtar mes dy vendeve.

Në vijim të vizitës së tij në Asamblenë Kombëtare, Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta edhe me anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë dhe të Komisionit për Politikën e Jashtme, të kryesuar nga Gvido Kres, si dhe me zëvendëspresidentin e Partisë Social Demokrate të Sllovenisë, Miran Potrç.

xh/NOA

KOMENTE