English

Vancouver 2010 - Një katastrofë financiare për Kanadanë?

Vankuveri është përgatitur për lojërat olimpike dimërore. Janë investuar shumë para me shpresë se sukseset sportive do t'i kthejnë ato. Por përvojat tregojnë se efektet ekonomike të lojërave olimpike nuk parashikohen dot

Vankuver, 14 Shkurt - Kur Jacques Rogge, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, më 2003 bëri të ditur se Vankuveri do të organizojë lojërat dimërore të vitit 2010, gëzimi në Kanada ishte i madh. Komiteti Olimpik premtoi fitim në vlerë prej 9,6 miliardë dollarë, mijëra vende të reja pune dhe më shumë turizëm.

Më 2009, kryeministri i provincës British Columbia Gordan Campbell, kumtoi në televizionin CBC: "Sa i përket buxhetit, lojërat olimpike po përgatiten sipas planeve. Të gjitha vendet, ku do të zhvillohen lojërat, janë gati. Olimpiada është për ne ekonomikisht interesante, sepse na mundëson edhe hapjen e vendeve të reja të punës."

Kostot më të larta nga ç'ishte parashikuar

Pak javë pas paraqitjes së Campellit në televizion u konstatua se kostot e përgatitjeve të lojërave olimpike dimërore 2010 kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar. Në fillim ishte planifikuar që lojërat të kushtojnë 1,5 miliardë dollarë, ndërsa tani zyrtarisht shuma ka mbërritur në 5,6 miliardë. Sipas studimeve të fundit qeveria mund të përfitojë në vend të 9,6 miliardë dollarëve të planifikuar, më së shumti një miliardë. Ekspertët thonë se shkaqet e dallimeve kaq të mëdha janë, përveç krizës ekonomike, përllogaritjet e gabueshme të qeverisë dhe Komitetit Olimpik në Vankuver.

Qeveria llogarit me kompensimin e shpenzimeve

Megjithë prognozat e fundit pesimiste, qeveria kanadeze llogarit në shtigje afatgjata me rritjen e turizmit, si pasojë e lojërave olimpike. Wendy Underwood, zëdhënëse e ministrisë së Turizmit, beson se do të shpaguhen në fund shpenzimet e qeverisë prej 2,8 miliardë, sa janë investuar për ndërtimin e infrastrukturës së këtyre lojërave.

"Gjatë pesë viteve të fundit në Vankuver ka pasur ndërtime të shumta dhe zhvillim të qytetit. Pas lojërave olimpike do të kemi një infrastrukturë shumë më të mirë se më parë. Përveç kësaj, do të përfitojmë edhe nga imazhi në arenën ndërkombëtare, sepse lojërat olimpike do t'i shikojnë në televizion rreth tre miliardë njerëz."

Të jesh organizator i lojërave olimpike nuk do të thotë gjithmonë se do të përfitosh.

Megjithë pritjet e qeverisë, turizmi deri tani nuk ka shënuar ndonjë rritje. Në qoftë se Vankuveri i përfundon lojërat me humbje dhe borxhe, nuk do të ishte ky rasti i parë. Athina ka përfunduar lojërat e vitit 2004 me borxhe në vlerë prej shtatë miliardë eurosh. Montreali është dashur të paguajë borxhet nga lojërat e vitit 1976 deri në vitin 2002. Deri tani nuk mund të shihet ndonjë rritje ekonomike si pasojë e lojërave olimpike dimërore 2010, pohon Seth Klein, drejtore e "Qendrës për alternativa politike."

"Dyshoj shumë se do të ketë efekte afatgjata. Nuk e dyshoj që lojërat mund të influencojnë në ngritjen e prodhimit bruto në vend dhe tregun e punës. Por shtrohet pyetja, nëse kjo do të arrijë vlerën prej 6 miliardë dollarë dhe nëse investimi i gjashtë miliardëve në ndonjë sektor tjetër do të sillte më shumë përfitime? Sa i përket kësaj çështjeje, mendoj se investimet në sektorë të tjerë do të kishin efekte më të mira afatgjata."

Shpenzimet përballohen vetëm me shkurtime në sektorë të tjerë

Mjeku Chris Shaë i përgjigjet shumë shpejt pyetjes se ku ka mundur qeveria kanadeze të investojë gjashtë miliardë dollarë. Ka mundur, për shembull, që në dhjetë vitet e ardhshme të investojë në hulumtimet për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Në vend të këtyre investimeve, Vankuverit do t'i mbeten borxhet, që duhet të paguajë me paratë e taksapaguesve.

"Të gjithë ne do të paguajmë për këto lojëra deri në fund të jetes. Mund të flitet për dobitë nga lojërat olimpike sa i përket krenarisë kombëtare, vëmendjes ndërkombëtare apo dhe ndjenjës së kënaqësisë, por në aspektin e kostove nuk ka llogari."

Shaë është i mendimit madje se për shkak të këtyre lojërave, në të ardhmen do të ndahen më pak para për mjekësi, programet sociale dhe kulturore. Duket se realiteti i jep të drejtë: Qeveria e rajonit British Columbia vendosi në fund të vitit të kaluar që gjatë këtij viti për përkujdesjen mjekësore të ndajë 330 milionë dollarë më pak. Ndërkohë që buxheti i ministrisë rajonale për kulturë është shkurtuar për 80 për qind. /DW/

Foto: Nga Vancouver 2010

KOMENTE