English

Andreas Peschke: Integriteti i Kosovës, nuk vihet më në diskutim

Berlin, 15 shkurt, NOA - Në një intervistë ekskluzive për programin shqip të DW-së zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Andreas Peschke, apelon tek Serbia për më shumë pragmatizëm në lidhje me Kosovën dhe tek Kosova për më shumë shpejtësi në reforma.

Z.Peschke, cili është bilanci i qeverisë gjermane dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

- Bilanci ynë për këto dy vjet është pozitiv. Kosova është njohur tashmë prej 65 vendesh, 22 prej të cilave janë anëtare të BE-së. Në vitin 2009 ajo u bë anëtare e FMN-së dhe e Bankës Botërore, çka bën të mundur për të një përfaqësim edhe në parketin ndërkombëtar. Pjesëmarrja e serbëve të jugut në zgjedhjet komunale ishte relativisht e lartë. Nëse dikush do ta kishte parashikuar një zhvillim të tillë dy vjet më parë atë do ta kishin quajtur një ëndërrimtar naiv.

Para dy vjetësh askush nuk kishte menduar që brenda BE-së do të vazhdonte kaq gjatë përçarja në lidhje me Kosovën...

- Natyrisht askush nuk e mohon që ekzistojnë probleme, të cilat duhet t'i zgjidhim bashkërisht. Por po të shohim misionin për mbështetjen e Eulex-it, në fillim kishte shumë njerëz që nuk kishin besim se ai do të instalohej, ndërsa tani ai vepron në të gjithë Kosovën.

Si e masni ju suksesin e tij?

- Misioni është në vend. Ai bashkëpunon me gjykatat dhe administratën kosovare për të ndërtuar shtetin ligjor. Nuk mund t'ju jap shifra, për këtë pyesni ekspertët në vend, por ne kemi përshtypjen se prania e misionit është shumë e suksesshme dhe këtë ndërkohë e pranojnë edhe ato vende, që kanë qenë skeptike, si për shembull Spanja, e cila është shprehur për një angazhim të madh në Kosovë gjatë periudhës së saj në krye të BE-së, edhe pse vetë nuk e ka njohur Kosovën.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i varur nga Beogradi. Si e shikoni ju të ardhmen e tij?

- Për qeverinë gjermane është shumë e qartë: Integriteti i Kosovës nuk vihet në diskutim. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Ata që kanë një qëndrim tjetër përpiqemi t'i bindim që Kosova tashmë ka zënë vend në bashkësinë e popujve dhe se ne e mbështesim atë që të luajë rolin e duhur në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Si e shikon qeveria gjermane politikën e Serbisë ndaj Kosovës?

- Kjo nuk është një çështje e lehtë për Serbinë. Ne për këtë kemi mirëkuptim. Por apelojmë vazhdimisht tek qeveria e Beogradit që çështjet e hapura në lidhje me Kosovën t'i trajtojë në mënyrë sa më konstruktive dhe pragmatike.

Keni ndonjë apel edhe ndaj qeverisë së Kosovës?

- Kemi shumë. Rruga e demokratizimit dhe e reformave nuk ka përfunduar, përkundrazi. Shpejtësia e reformave duhet të rritet. Kosova duhet të bëjë hapa përpara edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne do ta shoqërojmë atë në këtë rrugë me simpati dhe miqësi dhe do ta mbështesim edhe më tej.

Cila do të jetë ndihma e Gjermanisë që Kosova të përballojë problemet ekonomike?

- Unë mund t'ju them se ne kemi vëmë në dispozicion 240 milionë Euro vetëm për vitin 2009. Ky është një angazhim shumë i madh dhe ne do të vazhdojmë ta mbajmë atë në këtë nivel.

A nuk do të ishte një ndihmë sikur të mos rëndohej Kosova me kthimin e ish-refugjatëve të këtushëm? Sidomos atë të romëve dhe ashkalinjve?

- Kjo është një kompetencë e drejtësisë dhe organeve të rendit...

Por ato u referohen raporteve të ministrisë suaj...

- Ne raportojmë për situatën ashtu siç është. Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e kënaqshme për një pjesë të madhe të popullsisë, këtu hyjnë edhe pakicat. Por ajo për të cilën raportojmë ne janë represione nga ana e shtetit ose të organizatave të ndryshme. Për këto nuk ka të dhëna. Vendimin për kthimin ose jo të ish-refugjatëve e marrin organet e brendshme.

DW

KOMENTE