English

Injorohen akuzat e Timoshenkos për manipulime, KQZ s'do t'i shqyrtojë fare

Kiev, 15 shkurt, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Ukrainë duket se nuk ka për t'i marrë fare parasysh ankimimet e kryeministres Julia Timoshenko mbi të ashtuquajturat prej saj "manipulime të procesit zgjedhor presidencial" në këtë vend.

Zyrtarët e zgjedhjeve nga ana e tyre thonë se do të refuzojnë të marrin në konsideratë këto kundërshtime të saj, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e deklaroi dje kundërshtarin e saj, Viktor Janukoviç, president të ardhshëm të Ukrainës, duke konfirmuar se ai e kishte fituar balotazhin me afërsisht 3.5 përqind vota më shumë se ajo.

Në të tilla kushte, duket se askush nuk do të merret me shqyrtimin e ankesave të Timoshenkos, duke e lënë rezultatin kështu siç është dhe vetë KQZ ka pohuar se nuk do t'i analizojë këto akuza.

Timoshenko nga ana e saj, në daljet e fundit në publik është treguar mëse e bindur se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe se do ta sfidojë rezultatin zgjedhor në gjykatë, për mëse 1 milionë vota të falsifikuara, të cilat sipas saj, mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin aktual.

Ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve duket se as ata e mbështesin Timoshenkon në akuzat e saj ndaj rivalit që tashmë u bë presidenti i ri i vendit.

n.e/NOA

KOMENTE