English

Policia e Librazhdit: Monstra Haki Miska, vrau dhe 2 të tjerë

Elbasan, 15 shkurt, NOA Update - Policia e Elbasanit ka arritur të zbulojë plotësisht krimet e kryera nga 50-vjeçari me emrin Haki Miska, i cili disa ditë më parë vrau me sëpatë të ëmën dhe plagosi vajzën e tij. Sipas të dhënave të komunikuara nga vetë drejtori i policisë së Elbasanit, është zbuluar pas hetimeve intensive se Miska paska kryer një vrasje edhe në prill të vitit 1994, duke i shkaktuar vdekjen ish-bashkëshortes së tij, Mimoza Miska, e lindur më 04.03.1962.

Thuhet se ai e ka kryer këtë vrasje duke e torturuar dhe me pas duke e vrarë me mjete të forta. Më tej, ai e ka groposur atë në tokën pranë shtëpisë së tij dhe mizoria arrin deri atje sa ta shpallë si të zhdukur gruan e tij.

"Emri saj ka figuruar si e larguar nga banesa në listat e kërkimit të Drejtorisë Policisë Elbasan", ka bërë me dije shefi i këtij institucioni.

Më tej, ai ka shtuar se aktualisht në vendin e treguar nga vetë autori po punohet për gjetjen e eshtrave të groposura, ndërsa vrasja është kryer për motive xhelozie. Një vit më vonë, thuhet se Miska ka vrarë edhe Gani Brukun, ish-njerkun e tij, të cilin gjithashtu pasi e ka torturuar, më pas e ka vrarë me mjete të forta duke e fshehur sërish krimin.

Për këtë të fundit në fakt, ka qenë në dijeni nëna e tij, gjë për të cilën dyshohet se ai edhe e ka vrarë ata para pak ditësh.

n.e/NOA

KOMENTE