English

Shtyhet në 22 shkurt gjykimi ndaj Albin Kurtit

Prishtinë, 15 shkurt, NOA Update - Një panel i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dhe gjykatësve të Kosovës, ka vendosur në seancën e sotme gjyqësore kundër liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje" Albin Kurti, që gjykimi i tij të shtyhet për datën 22 shkurt 2010. Një lajm i tillë sapo është bërë me dije nga zyra për informim e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit (EULEX).

Nga ana e tij, Albin Kurti nuk i është përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në gjykim, duke e cilësuar si të padrejtë tërë procesin.

"Arsyeja e shtyrjes ishte që të pandehurit t'i jepet një kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij, në përputhje me dispozitat relevante të kodit të procedurës penale. I pandehuri Kurti ishte ftuar në gjykatë me datën 9 shkurt 2010", thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Nga ana e tij, kreu i Lëvizjes "Vetëvendosje" Albin Kurti ka pohuar se nuk ka as dëshirë dhe as interes të bëhet bashkëpunëtor me atë që ai e quajti "padrejtësi" të zhvilluar ndaj tij.

"Nuk dua ta pranoj të gjithë procesin, të cilin po e inicion sistemi i tyre. Policët rumunë të UNMIK-ut, që më 10 shkurt të vitit 2007, vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, si dhe plagosën 80 protestues të tjerë, ndërsa këta merren me mua me qëllim të disiplinimit politik, me qëllim të kontrollit të situatës politike nëpërmjet izolimit tim", tha Kurti. n.e/NOA

KOMENTE