English

Botohet libri "Konservatorizmi"

Tiranë, 18 shkurt, NOA - Botimet IDK kanë sjellë të publikuar në gjuhën shqipe librin "Konservatorizmi", të autorit të mirënjohur amerikan Robert Nisbet. Në këtë libër, ai argumenton faktin se konservatorizmi modern në gjithë Perëndimin mund të shihet si një përforcim i akuzave të Bërkes jo vetëm mbi Revolucionin Francez, por edhe mbi revolucionin më të madh që tani e quajmë modernizëm. Çështjet thelbësore të konservatorizmit janë po ato që motivuan librin e parë dhe më me ndikim të Nisbetit, "The Quest for Community".

Në fakt, "Konservatorizmi" e bashkon pothuajse të gjithë veprën e Nisbetit. Në të, Nisbeti, merret me shkaqet politike të të huajzimeve të shumta që qëndrojnë pas përpjekjeve bashkëkohore për komunitet.

Shteti politik sovran është më shumë sesa thjesht një marrëdhënie ligjore e një superstrukture pushteti, është i pandashëm nga ndërhyrjet e tij të njëpasnjëshme në aleancat ekonomike, fetare, farefisnore dhe lokale të njeriut, si dhe nga zhvendosjet revolucionare të qendrave të pranuara të pushtetit.

Nisbet-i deklaron se ndonëse filozofitë politike shpesh konceptohen në bazë të pikëpamjes që ato kanë për sa i takon marrëdhënieve të individit me shtetin, ai këmbëngul se një qasje më e dobishme do të përfshinte "strukturën e grupeve dhe të bashkimeve të cilat zënë një pozicion të ndërmjetëm mes dy entiteteve diametralisht të kundërta".

Robert Nisbet (1913-1996) është një prej mendimtarëve më të rëndësishëm konservatorë të shekullit XX dhe veprat e tij nxitën njëfarë Rilindjeje në mendimin konservator në Amerikë. Ai ka qenë drejtor i Albert Schëeitzer në Universitetin e Kolumbias.

Pasi doli në pension, ai e vazhdoi punën e tij në American Enterprise Institute në Uashington.

n.e/NOA

KOMENTE