English

Krim i rëndë në Durrës, masakrohet 21-vjeçari

Durrës, 18 Shkurt NOA - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 21-vjeçar po lufton me vdekjen në spital pasi është masakruar nga një djalë tjetër i cili sot pasdite, policia konfirmoi se është vënë në pranga.

"Andi Dalipaj, 20 vjeç me banim në lagjen nr 18 të qytetit bregdetar, ka plagosur duke goditur shumë herë me thikë në pjesën e barkut shtetasin Z.P., 21 vjeç, banues në lagjen 13 Durrës dhe më pas e ka flakur në rrugë duke u zhdukur me makinën e viktimës së tij", - i thanë agjencisë NOA burime zyrtare policore.

Gjithçka ka ndodhur në lagjen nr 14 të qytetit të Durrësit, raporton korrespondenti i NOA i cili citon burime nga shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Durrës.

I riu 20-vjeçar Andi Dalipaj, rreth orës 18.30 të mbrëmjes së djeshme, është gjendur në zonën para plazhit "Teuta" dhe i ka kërkuar 21-vjeçarit Z.P që me makinën që kishte ta transportonte si pasagjer nga Ura e Dajlanit në lagjen nr 14 të qytetit bregdetar.

Z.P. e kishte makinën e markës "Benz" me targa DR 5732 A, të babait të tij, megjithatë ka pranuar të bëjë taksixhiun për Andi Dalipajn dhe ka nisur rrugën.

Kur kanë kaluar rreth 15 minuta nga nisja e rrugëtimit, në rrethana krejt të papritura, Andi Dalipaj i është vërsulur 20-vjeçarit me një thikë që nxori nga brenda xhupit dhe e ka qëlluar me dhjetëra herë në bark duke e larë më gjak makinën.

Nuk është mjaftuar me kaq. Pasi ka arritur të ndalë makinën që drejtonte 20-vjeçari, e ka marrë "prenë" e tij dhe ashtu të gjakosur ngado, e ka nxjerrë nga makina dhe e ka hedhur në mes të rrugës.

Me të mbaruar dhe këtë "punë", si pa të keq, ka hipur në vendin e timonit dhe është larguar me makinën e viktimës së tij.

Policia, e alarmuar për këtë ngjarje, ka kryer hetime intensive dhe tha se sot pasdite ka arritur të gjejë makinën e grabitur, thikën me të cilën u krye masakra dhe të vetmin të dyshuar për këtë krim.

Kështu ka përfunduar puna e policisë për të gjetur masakruesin e të riut të pafajshëm, por këtu nis puna e Prokurorisë e cila me të marrë dosjen, duhet të zbardhë dëshmitë e protagonistëve të ngjarjes.

Kjo mbetet ende të jetë shumë e vështirë, pasi mjekët e Spitalit të Durrësit, i thanë agjencisë NOA se gjendja e 20-vjeçarit është kritike për jetën për shkak të plagëve serioze që ai ka marrë nga goditjet e panumërta me thikë.

a.a/e.r/NOA

KOMENTE