English

Të ndarë edhe në festë

Në të njëjtën ditë me përvjetorin e pavarësisë, zyra e presidentit Sejdiu gjen kohë e merret me deklarata e reagime politike ndaj një kandidati për kryetar komune në Gjilan. Thaçi është i preokupuar të bëjë inventarin e sukseseve, ndërsa Haradinaj të dëshmojë armiqësinë e palëkundur ndaj PDK

Nga Armand Shkullaku

Ndarjet politike në Kosovë sa vijnë e po thellohen dhe ato nuk bënë ndonjë përjashtim as dje, më 17 shkurt, Ditën e dyvjetorit të Pavarësisë së vendit. Lideri i opozitës, Ramush Haradinaj nuk u pa në sallën e Kuvendit, me gjithë ftesën e marrë, dhe, në asnjë moment, drejtuesit politikë të të dy krahëve nuk u shfaqën së bashku në ndonjë ceremoni publike. Shtrëngimi i duarve mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt mungoi edhe në një rast solemn dhe historik siç ishte përvjetori i Pavarësisë. Me gjithë ciklonin e letrave që ka përshirë kohët e fundit Kosovën, parashikimi për një zbutje të klimës mes dy faktorëve kryesorë politikë në vend duket pesimist. Kjo ndarje e madhe, si dhe shpenzimi i energjive të shumta për protagonizëm dhe intriga politike, po i harxhon shumë energji Kosovës në një nga momentet më vendimtare për të ardhmen e saj. Madje më shumë se kaq, po e vë në pikëpyetje këtë të ardhme. Politikanët në Kosovë janë më shumë të përqendruar të shndërrojnë gjithçka në kapital politik për veten dhe partitë e tyre, sesa të shfrytëzojnë çdo rast, siç është edhe përvjetori i Pavarësisë, për të rritur frymën e bashkëpunimit dhe besimin e qytetarëve. Mospjesëmarrja e Ramush Hardinajt si i ftuar në seancën e djeshme të Kuvendit, sigurisht ishte një distancim i hapur nga ata që sot drejtojnë vendin dhe që bëhet pikërisht në një ditë kur duhej dëshmuar e kundërta, të paktën simbolikisht. Në një kontekst afatshkurtër duket sikur Haradinaj fiton pikë tek militantët e AAK'së me bojkotin e tij ndaj ceremonive zyrtare, por në një kontekst afatgjatë kjo luftë politike ka për t'i lodhur qytetarët dhe ka për të rënduar në stabilitetin politik të vendit. Nga ana tjetër, liderët e mazhorancës, përjashto ftesën formale, krijuan të gjitha kushtet që opozita të mbetej e margjinalizuar. Seanca e Kuvendit u shndërrua në një foltore ku liderët e mazhorancës - Thaçi, Sejdiu dhe Krasniqi - bënë një paradë suksesesh dhe treguan se si e kanë udhëhequr vendin nga fitorja në fitore. Në ceremoni përvjetorësh nuk ka përse të mblidhet Kuvendi. Zakonisht, Presidenti i vendit, që në shtetet normale simbolizon unitetin kombëtar, nga zyra e tij u dërgon një mesazh urimi qytetarëve dhe liderët e tjerë po ashtu zgjedhin mënyrat e tyre të përshëndetjes. Por, protagonizmi politik dhe tendenca për të nxjerrë përfitime nga çdo rast i dhënë, bëri që qytetarët e Kosovës të shohin diçka të veçantë, tri fjalime rresht, ku nuk munguan së numëruari kilometrat e shtruara, shkollat e ndërtuara, zgjedhjet e suksesshme, fitoret ndërkombëtare, etj. Me pak fjalë, edhe një ceremoni që mund të shërbente si moment reflektimi dhe afrimi mes palëve, u keqpërdor politikisht. Një politikë e tillë, veç thellimit të ndarjes mes palëve, prodhon edhe zhgënjim tek qytetarët. Kur përfitimi politik është kryefjala e çdo veprimi që bëjnë politikanët, atëherë edhe fjalimet në Parlament, edhe lulet në varrin e Rugovës, edhe vizitat në kullën e Jasharajve, tingëllojnë hipokrizi. Ngjajnë me një garë, ku secili kërkon të jetë i pari për të korrur duartrokitjet e publikut. Në fund të një gare të tillë nuk lodhen asnjëherë pjesëmarrësit në të, por vetë publiku. Politikanët janë të aftë të harxhojnë energji pa fund për të tilla gara, por shumë pak për punët për të cilat janë votuar dhe kanë marrë përsipër t'i kryejnë. Prandaj edhe në fund përballen me humbjen e besimit tek publiku, i cili nuk fitohet me fjalime dhe kurora lulesh, por me vepra dhe punë konkrete. "Integrimi i vendit në BE, është ëndrra e re e Kosovës", tha presidenti Sejdiu në fjalimin e djeshëm në Kuvend. Por, për të shkuar drejt një ëndrre nuk mjafton renditja e sukseseve të kaluara. Presidenti duhet t'i flasë popullit edhe për problemet që shqetësojnë vendin. Ai duhet t'u kërkojë partive politike më shumë unitet dhe frymë bashkëpunimi në emër të një qëllimi më të madh. Duhet të çojë një mesazh shprese edhe tek ata mijëra njerëz që janë në vështirësi ekonomike e kanë dalë në rrugë të protestojnë. T'i kërkojë Qeverisë më shumë përkushtim dhe të tregojë se cili është projekti kombëtar për të shkuar drejt Bashkimit Europian. Mesazhe të tilla po mungojnë në Kosovë. Në të njëjtën ditë me përvjetorin e pavarësisë, zyra e Presidentit Sejdiu gjen kohë e merret me deklarata e reagime politike ndaj një kandidati për kryetar komune në Gjilan. Thaçi është i preokupuar të bëjë inventarin e sukseseve, ndërsa Haradinaj të dëshmojë armiqësinë e palëkundur ndaj PDK'së. Me kaq shumë energji të çuar dëm, me këtë klimë politike dhe me humbjen e besimit të qytetarëve, ëndrra e BE rrezikon të bëhet gjithnjë e më largët. Kosova ka filluar të eci vetë dhe varet prej saj cilën rrugë do të marrë drejt Brukselit. Ata që drejtojnë vendin duhet të mos mbeten peng i interesave të vogla të momentit, por të ndjejnë dhe kuptojnë përgjegjësinë e madhe historike që kanë. Lufta për pushtet nuk duhet të ngulfasë projektin për të ardhmen. Shpeshherë shqiptarët e kanë humbur rrugën pikërisht në kohët më të mira për ta. Kosova ka dy vjet shtet dhe bashkë me Shqipërinë mezi e bëjmë një shekull histori të një shteti të pavarur. Por, në kaq pak vjet kemi rrezikuar disa herë ekzistencën tonë, jo vetëm si pasojë e ndërhyrjeve të jashtme, por edhe të verbërisë politike të atyre që na kanë drejtuar. Viti 1997 në Shqipëri është treguesi më i qartë se ku mund të të çojnë armiqësitë politike dhe energjitë e shpenzuara në drejtim të gabuar. Pas 85 vjetësh shtet, fatin e Shqipërisë e morën në dorë një administrator i huaj dhe një forcë ushtarake shumëkombëshe. Kosova e ka një shembull që nuk duhet ta ndjekë. /express/

KOMENTE