English

Gratë e verbra, një asamble kundër dhunës

Tiranë, 19 shkurt, NOA/ Blerina Ahmetaj - Gratë e vajzat e verbra në Shqipëri ankohen se ndjehen të dhunuara psikologjikisht nga shoqëria shqiptare.

Pamjet e dhunës fizike që u ushtruan ndaj dy grave të verbra gjatë protestës së tyre para kryeministrisë, janë ende të pashlyera nga kujtesa e opinionit shoqëror.

Kryetari i shoqatës së personave të verbër, Sinan Tafaj thotë se ky nuk është rasti i vetëm.

"Kemi një rast të evidentuar në Devoll të Korçës, me të cilin jemi në proces gjyqësor. Ka përfunduar shkalla e parë dhe tani e kemi apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit. Ne mendojmë se çdo rast forme dhune ndaj individëve fyen shoqatën ndaj ne jemi në proces gjyqësor me personat e akuzuar për dhunë. Në lidhje me dhunën që u ushtrua më 21 maj të vitit të shkuar gjatë protestës sonë para kryeministrisë, ndonëse dy gratë e verbra falën dhunuesin, ne jemi në proces gjyqësor me të akuzuarin.

Për t'u mbrojtur nga dhuna e çdo forme, gratë e vajzat e verbra kanë krijuar për herë të parë asamblenë e tyre.

Sipas Tafaj, asambleja do ti mbrojë nga format e diskriminimit që nga gjetja e një vendi pune apo arsimimi e deri tek dhuna fizike që mund të pësojnë ato.

"Do të kërkojmë me insistim punësim e arsimim si të gjithë, do të bashkëpunojmë me faktorin ndërkombëtar për të siguruar mbrojtjen e tyre, nuk do të ndalim luftën për mbrojtjen e të drejtave tona.

Në vendin tonë numërohen aktualisht 10.500 persona të verbër, ku 55 për qind e tyre janë femra.

b.a/NOA

KOMENTE