English

Timoshenko tërheq akuzat për manipulime

Kiev, 20 shkurt, NOA - Kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko ka tërhequr ankimimin e saj kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të cilin ajo e paraqiti dje në gjykatën më të lartë të Ukrainës për manipulime nga ana e rivalit Viktor Janukoviç. Nuk dihet ende përse Timoshenko e ka marrë një vendim të tillë, ndërsa ajo paraqitej mëse e vendosur në kërkesat e saj.

Ndërkaq, rivali i Timoshenkos Viktor Janukoviç u shpall fitues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Ukrainës me një epërsi prej 3.5% të votave. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë që në fillim se do të refuzonin të merrnin në konsideratë këto kundërshtime të Timoshenkos, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar.

Në të tilla kushte, duket se askush nuk do të merret me shqyrtimin e ankesave të Timoshenkos, duke e lënë rezultatin kështu siç është dhe vetë KQZ ka pohuar se nuk do t'i analizojë këto akuza.

Timoshenko nga ana e saj, në daljet e fundit në publik është treguar mëse e bindur se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe se do ta sfidojë rezultatin zgjedhor në gjykatë, për mëse 1 milionë vota të falsifikuara, të cilat sipas saj, mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin aktual.

n.e/NOA

KOMENTE