English

Deputetët: Jo gjueti në pronat shtetërore

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese dhe Tregtinë ka kthyer mbrapsht projektligjin për gjuetinë, i pari i këtij lloji i hartuar në vendin tonë. Deputetët e maxhorancës rrëzuan unanimisht tre prej neneve të draftit, neni 14 15 dhe 16 të cilët kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura që do të ngrihen në pronat shtetërore.

Sipas tyre, kjo mund të shkaktojë konflikt pronësie mes pronarëve të ligjshëm.

Specialistët e mjedisit, hartues të projektligjit për gjuetinë, morën përsipër përmirësimin e neneve, në të cilat do të përcaktojnë qartë kush do të jenë zonat e lejuara për gjueti në Shqipëri dhe kriteret që duhen plotësuar për të ngritur një zonë të tillë.

Kjo pasi nga diskutimet e grupit hartues, u deklarua se aktualisht në vendin tonë ndalohet me ligj gjuetia në zonat e mbrojtura ku futen parqet kombëtare siç është ai i Divjakës dhe vija bregdetare që janë lagunat.

Specialistët e mjedisit propozuan që edhe ish rezervatet e dikurshme të gjuetisë të jenë zona të lejuara gjuetie.

Sipas grupit të hartuesve të projektligjit, nevojiten ndryshime ligjore në ligjin për zonat e mbrojtura të gjuetisë, në të cilat të përfshihet ndryshimi i konceptit për ish rezervatet. Projektligji me ndryshimet e kërkuara do të paraqitet në mbledhjen e radhës së komisionit kuvendor.

b.a/NOA

KOMENTE