Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Koktej politik
English

Koktej politik

Politikanë të të gjitha humbjeve - bashkohuni.

Berat Buzhala*

Pas disa javësh të një disponimi mbarëkombëtar për të dërguar dhe pranuar letra politike, tash po futemi në një epokë të re, me tematikë të vjetër: bashkimin e subjekteve politike, apo formimin e partive të reja.

Po ndalem fillimisht tek bashkimet dhe aleancat. Disa trosha politike, të gjendura nëpër një mal me lisa të gjatë dhe të dendur, dhe pa e pasur as idenë më të vogël se si të dilet nga aty, kanë vendosur të kërkojnë azil politik tek partitë kryesore.

Ekzemplar shembullor është partia ORA, subjekt ky që u fut në gjirin e LDK-së, vetëm pasi në zgjedhjet e fundit komunale votuesi e bindi për të ardhmen e errët politike që po e priste. Kurse ironia më e madhe është shkrirja pikërisht në LDK. Ky subjekt, ORA pra, kur u krijua platformë kishte brutalitetin e sulmeve kundër LDK-së, me theks të veçantë ndaj ish liderit të saj, Ibrahim Rugovës.

Nuk më keqkuptoni po qe se ua rikujtoj talljen sarkastike që ish lideri i ORA, Veton Surroi, bënte me programin për zhvillim ekonomik të Rugovës - me qentë e Sharrit, tambelboren, pestilin e pekmezin. Vetëm sa për vëmendje edhe dy detaje rreth parimësisë së këtij koalicioni: e para, ORA vazhdimisht e ka quajtur vetën parti politike që shikon kah e majta, kurse LDK kah e djathta; dhe e dyta, prej tash e tutje Teuta Sahatqija dhe Gazmend Muhaxheri - si pjesë e koalicionit qeveritar - do të jenë në një shtrat me shënjestrën e tyre të deritashme politike, Hashim Thaçin.

Të shkuara të harruara dhe suksese në të ardhmen.

Një gjysmë flamuri të bardhë, pak si më turp, e ngriti edhe Nexhat Daci, kur i dërgoi letër (ar)miqve të dikurshëm për të krijuar aleanca parazgjedhore. Gabim i madh strategjik. Edhe rojtari i selisë së LDK-së tashmë e di se akademiku kokëfortë nuk do t'ia zgjaste dorën vëllait të madh, sikur, 1. Të mos kishin nisur t'i shfaqeshin disa plasaritje brenda shtëpisë, dhe 2. Sikur ta kishte fituar së paku një komunë diku nëpër Kosovë. Duke qenë kaq transparent motivi i ofertës, Nexhat Daci do të bënte mirë që të përgatitej për ndonjë përgjigje cinike nga LDK'ja. Eqrem Kryeziu edhe më tutje është nënkryetar i parë i kësaj partie. Për shembull, Dacit do të mund t'i propozohet një kopje e marrëveshjes së nënshkruar me Teuta Sahatçinë, ku në vend të akronimit ORA do të shënohet LDD. Kurse Nexhat Dacit si shpërblim do t'i ofrohet një amnisti zemërgjerë, për shkak të dezertimit në vitin 2006.

Agim Çeku, bazuar në një letër që eruditi Astrit Haraçija i ka nisur kryetarit të ngrirë Fatmir Sejdiu, gjithashtu është duke pritur dinjitetshëm në shallterin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta dorëzuar aplikacionin për partneritet.

Kur jemi tek rirreshtimet edhe nja dy-tri fjalë për super të përfolurin, të birin e Presidentit Ibrahim Rugova, enigmatikun Ukë. Ai duhet ta dijë se tash nuk jemi në vitin 1989, e as ai nuk është Ibrahim Rugova, por djali i tij. Të jesh djali i një ish-presidenti, vetvetiu nuk do të thotë shumë. Nëse i rrasim duart nëpër arkiva të ndryshme politike, Ukës mund t'i gjejmë lloj-lloj krahasimesh me bijtë dhe bijat e Presidentëve. Disa i kanë turpëruar prindërit, e disa të tjerë shkëlqimit të familjeve ua kanë shtuar edhe nga një yll. Prandaj, Uka, përpara se të tjerët të flasin në emër të tij, duhet vet të na tregojë se përveç emrit të babait ka edhe vlera të tjera në bagazhin e tij njerëzor dhe profesional.

Pjesa tjetër e zhvillimeve politike të ditëve të kaluara lidhet me ca shkëndija që erdhën nga një pjesë e shoqërisë civile, për t'u futur në jetën aktive politike përmes formimit të partive të reja.

Meritor për t'u hapur ky debat është Ambasadori Amerikan Christopher Dell, i cili i mbështetur për muri nga pyetjet ultrasugjestive të gazetarit të BIRN-it, tha se nëse të gjitha partitë janë të ngjashme, atëherë këtu ka vend për formacione të reja. Kjo ide, e cila prej analistëve vendorë po komentohet me aq pasion, sikur Dell ta kishte zbuluar edhe njëherë vendlindjen e tij Amerikën, nuk besoj se përmban diçka gjeniale brenda vetes. Ky vend nuk ka vuajtur për ide të tillë.

Në Kosovë gati më i madh është numri i partive politike që bankrotojnë, sesa ai i bizneseve. Kafehanet e Prishtinës janë të mbushura me ide iluminuese, të cilat vdesin në momentin kur diskutuesit shkojnë te kamerieri për ta paguar makiaton e tyre revolucionare. Mirëpo të flasësh për revolucion politik, e të punosh në ketë drejtim ka dallim të madh. Aktualisht, ne e njohim vetëm një njeri serioz, bindës dhe të angazhuar deri në sakrificë për t'u kacafytur me klasën politike vendore. Ai është Albin Kurti - i cili gëzon një status ligjor me përmasa kafkiane - por nuk besoj se Chris Dell ka menduar në Kurtin kur ka folur për "riformatizim" të skenës politike.

Është bërë një dekadë prej kur bashkësia ndërkombëtare na ka bindur se liderët që sot po e drejtojnë vendin - në Qeveri apo opozitë - janë njerëzit e duhur. Një intervistë, sado përmbajtjesore të jetë, nuk mund të shkaktojë më shumë se një puhizë pranverore.

Kam frikë se gjithë kjo zhurmë, gjithë këto iniciativa - bashkime dhe ribashkime -

do ta kenë ndikimin që e ka Uji i Bekuar te besimtarët.

Dëm prej tij nuk ka, por as ndonjë dobi jo.

(*) Kryeredaktor, "Express" Prishtinë

KOMENTE