English

Berisha: Dy shtete, Palestinë dhe Izrael

Tiranë, 26 shkurt, NOA - Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Një fakt të tillë, kreu i qeverisë, Sali Berisha e ka bërë me dijeni gjatë një takimi që ka patur me ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri Berisha nënvizoi se kjo vizitë është një dëshmi dhe një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Ndërsa Al-Maliki falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë zhvillimit të vendit të tij dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme, në dobi dhe të paqes globale.

Ai shprehu edhe një herë mbështetjen nga ana e Shqipërisë, të çdo përpjekjeje të zgjidhjes së çështjes së paqes, në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave, duke theksuar se kishte bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të të dy vendeve mike.

Al-Maliki vlerësoi si të rëndësishme mbështetjen e procesit të paqes nga ana e Shqipërisë, si një vend që ka një miqësi dhe marrëdhënie shumë të mira tradicionale me të dy vendet.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për një thellim të bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, tregti, arsim dhe kulturë.

n.e/NOA

KOMENTE