English

"Skandali, 15 mijë maune kontrabandë"

Tiranë, 28 shkurt, NOA - Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku e cilësoi si një skandal lajmin e publikuar nga mediat greke për kontrabandën e 15 mijë maunave mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ai u shpreh se në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha dhe kërkoi nisjen e një procesi hetimor për këtë çështje.

"Konfindustria, duke marr shkak nga dalja e paradisakohshme e të dhënave në shtypin grek për proçesin hetimor të filluar për kontrabandimin e mbi 15 mijë mauneve në një periudhë të shkurtër kohore 4 vjeçare në disa pika doganore në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, kërkon ndërmarrjen e një hetimi të plotë të njëkohshëm mbi ngjarjen në fjalë edhe nga institucionet e ekzekutivit dhe drejtësisë shqiptare", u shpreh Buxhuku.

Ai vlerësoi se kontrabanda jep efekte në rrënimin e prodhimit shqiptar industrial dhe bujqësor në përfitim të prodhimeve greke të importit.

"Është fakt i pamohueshëm, që sidomos prodhimi shqiptar në bujqësi dhe agroindustri është në nivele mjaft të ulta prodhimi si pasojë edhe e konkurrencës së egër në çmim të prodhimeve të njëjta të importuara në vlera financiare. Gjithashtu theksojmë se importi i përgjithshëm nga Greqia është mbi 650 milion dollarë në vit ndërkohë qe eksportet shqiptare janë 10 herë më pak", u shpreh Buxhuku.

Ai shtoi se kontrabanda sjell uljen e të ardhurave financiare në buxhetin e shtetit.

Si dhe i jep "goditje të rëndë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit si pasojë e largimit të padrejtë dhe të paarsyeshëm të parave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë si dhe duke drejtuar investimet e shqiptarëve vetëm në disa fusha të tejngopura të ekonomisë vendore dhe që bëhen shkak për nxitjen dhe thellimin e krizave të brendshme financiare dhe bankare", u shpreh Buxhuku.

m.xh/NOA

KOMENTE