English

Tërmet në Pakistan dhe Afganistan

Islamabad, 28 Shkurt NOA - Pakistani dhe Afganistani u prekën mëngjesin e sotëm nga një tërmet i fuqishëm duke sjellë ndërmend për banorët vendas, lëkundjet e frikshme të pesë viteve më parë ku u numëruan më shumë se 73 mijë njerëz të vrarë.

Goditja sizmike preku sot herët në mëngjes, veriun e Pakistanit dhe disa zona në Afganistan, bëjnë të ditur agjencitë ndërkombëtare të lajmeve të cilat thanë se deri tani nuk raportohen viktima.

Burimet zyrtare thonë se fuqia e tërmetit ishte 6.2 ballë dhe epiqendra e tij në Hindu Kush, një lokalitet malor në Afganistan.

Goditjet e tërmetit gjithashtu janë ndjerë edhe në kryeqytetin e Afganistanit dhe të Pakistanit si dhe në zonat përreth, por nuk raportohet për dëme materiale.

Ndërkohë, në tërmetin që preku dje Kilin, numërohen të paktën 300 të vdekur, kurse rreth dy milionë banorë janë prekur nga pasojat e lëkundjeve të frikshme sizmike që sipas raporteve lokale, zgjatën për afro 90 sekonda.

Tërmeti në fakt u pasua dhe nga një cunami, valët e të cilit besohet se u shkaktuan pikërisht për shkak të lëkundjeve sizmike që drodhën Kilin.

Kjo bëri që disa mijëra banorë të bregdetit në të gjithë Oqeanin Paqësor të evakuohen në mënyrë emergjente.

Gjithsesi, raportet e mediave të huaja nuk flasin për dëme në masë të madhe nga valët e cunamit.

e.r/NOA

KOMENTE