Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Arrestohet imami nga Elbasani
English

Arrestohet imami nga Elbasani

Prishtinë-Tiranë, 3 Mars NOA - Arrestohet imami nga Elbasani, Kastriot Duka i njohur me emrin Xhemal dhe ekstradohet menjëherë për në Shqipëri, konfirmojnë për agjencinë NOA, burime zyrtare nga Policia e Kosovës.

Imami Kastriot Xhemal Duka, i cili ka kryer studime të herëpashershme në vendet arabe dhe kurse të ndryshme në ato vende dhe i njohur si bashkëpunëtor i ngushtë në përpjekjet për sensibilizimin fetar në Elbasan dhe zona të tjera të Shqipërisë, është arrestuar nga autoritetet dhe më pas deportuar në Shqipëri pasi e konsiderojnë atë si imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt.

Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë. Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi që ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës. "Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të zotit Duka, flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit, për të cilin edhe i është dhënë lejeqëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë, për të shtuar se "zoti Duka, së fundmi, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës kompetente, ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës". "Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatën e MPB-së. "Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, sot, me datën 3 mars 2010, ka arrestuar dhe deportuar në shtetin amë z. Kastriot Duka. Të njëjtit i ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi (Ligji për të huaj)", sqarohet në komunikatën e MPB-së. Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Skenderajt, nisur nga një peticion i nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të këtij vendi, mori një vendim për mbylljen e përkohshme të xhamisë dhe largimin e z. Duka. Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e Bashkësisë Islame, ndaj pretendohet se Kastrio (Xhemal) Duka ushtroi funksionin e imamit pa bekimin e Bashkësisë. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe shoqatën humanitare "Rahma/Mercy". Sakaq në Skënderaj, sot është mbajtur një protestë, në shenjë të shprehjes së pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin Marinë. Policia e Kosovës tha se në protestën që ka zgjatur rreth 30 minuta, kanë marrë pjesë rreth 100 persona dhe se protesta ka përfunduar e qetë.

Që nga mëngjesi i djeshëm, Ajnishahe Halimi, një nga iniciatorët e peticionit, të shndërruar tashmë në vendim ekzekutiv të kuvendit komunal, thotë se situata në Marinë është alarmante. "Unë jam myslimane dhe i përkas besimit fetar islam, mirëpo myslimane dhe respektim të fesë në mënyra tradicionale, siç ka qenë përpara, e jo me një kulturë iraniane a irakiane, sepse nuk kemi nevojë. Situata është më se alarmante, jo vetëm në Drenicë, por në tërë Kosovën me këtë sekt, sepse tërë Kosova, pas luftës, është përfshirë në një ekstremizëm, radikalizëm të fesë, gjë që çon te fundamentalizmi islamik". "Unë do të doja të ik nga ky fundamentalizëm islamik. Ne kemi qenë të shqetësuar. Për këtë kemi bërë peticionin, i cili u nënshkrua nga 6 mijë qytetarë", thotë Ajnishahe Halimi. Por, Kastriot Duka nga Elbasani, që tashmë ka ndryshuar emrin në Xhemajl, një ditë para se të mbyllej xhamia, në njërën nga dhomat e saj të shndërruar në zyrë, hodhi poshtë akuzat. Ai, madje, akuzoi iniciatorët e peticionit, se kanë mbledhur nënshkrime të rreme. "Ka marrë nënshkrime të rreme, ka manipuluar në emër të Albin Kurtit. Ky nuk është vendim i drejtë, sepse shteti është i ndarë nga xhamia. Ne kemi Bashkësinë Islame në Kosovë, e cila ka të drejtë dhe kompetencë ta mbyllë xhaminë kur ka baza". "Por, megjithatë, ne jemi në negociata me Bashkësinë Islame dhe shumë shpejt do ta zgjidhim problemin e xhamisë së Marinës", tha Duka.

Pretendimet për nënshkrime të rreme hidhen poshtë jo vetëm nga Halimi, por edhe nga udhëheqësit e komunës së Skenderajt. Nënkryetari Abdyl Ymeri dyshon se aktivitetet në xhami ishin në përputhje me rregullat e Bashkësisë Islame. "Kjo xhami nuk i është përgjigjur as Bashkësisë Islame dhe aktivitetet që i zhvillon aty, për neve janë të dyshimta", thotë Ymeri.

Duka thotë se përmes organizatës së tij, "Rahma/Mercy", ndihmon 550 familje në Drenicë me nga 20 euro në muaj. Në Marinë, shumica e banorëve kanë familjarë të vrarë në luftë. Ata thonë se shoqata "Ramha/Mercy", me seli në Angli, vazhdimisht u ka ndihmuar në ushqime, por edhe në të holla. Shefkije Mëziu është njëra nga ato që thotë se ka përfituar: "Janë shpifje. Hoxha na ka ndihmuar të gjithëve me shpirt. Për hoxhën s'ka çka thotë askush. Atë ditë që ta heqin hoxhën nga këtu, sidomos kush ka jetimë, mbaron krejt", thotë Mëziu, e cila pranon se merr 20 euro në muaj nga shoqata "Ramha/Mercy", mirëpo është shteti ai që i paguan më shumë asaj - nga 135 euro në muaj, si kompensim për humbjen e të shoqit në luftë. Ndryshe, në faqen e saj të internetit, shoqata humanitare "Rahma/Mercy", e themeluar në vitin 1999, shkruan se, fillimisht, synim kryesor kishte ndihmën për refugjatët kosovarë, e më vonë për bonjakët. Por, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, ndihmat zakonisht janë kushtëzuar me lojalitetin e treguar ndaj z.Duka, që nënkupton dërgimin e fëmijëve në xhami për mësime kuranore, e në këtë rast edhe mbulimin e vajzave të vogla. Në internet, madje, qarkullon një video, ku Duka mbulon vajzat 6 - 7-vjeçare. Vetë z.Duka pranoi se vajzat janë mbuluar, por tha se kanë pasur pëlqimin e prindërve. "Ne jemi myslimanë, vajzat i mbulojmë me shamia, pa marrë parasysh moshën... Puna e shamisë është në liri të besimit të tyre. Çdo prind e dërgon fëmijën në xhami. Unë jam prind, fëmija im ka qejf të vishet me këtë uniformë. Dakord jam me këtë, por kjo është liri e besimit të fëmijëve", u shpreh Duka. Sidoqoftë, aktivitetet e Dukës nuk janë parë me sy të mirë as nga vetë Bashkësia Islame. Për më tepër, është kjo e vetmja xhami, apo Duka i vetmi imam, që nuk është në juridiksionin e kësaj bashkësie. Duka i tha Radios Evropa e Lirë se tani është në negociata për të zgjidhur problemin me Bashkësinë Islame. "I nderuari kryeminam Sabri Bajgora na ka dhënë fjalën se shumë shpejt do të afrohet, do të vijë këtu për të diskutuar çështjen e xhamisë dhe na ka dhënë fjalën se unë do të shkoj atje, do ta zgjidhim këtë problem në mënyrën më të bukur, më të mirë, që të kënaqet hoxha, banorët e fshatit dhe ne si Bashkësi Islame", deklaroi Duka i cituar nga radio Evropa e Lirë. Ky interesim për të negociuar me Bashkësinë Islame vjen pas disa vjet shpërfilljeje që Duka i bëri kësaj bashkësie. Kryemimami i Kosovës, Sabri Bajgora, thotë se nuk ka kurrfarë negociatash me Dukën. "Absolutisht, as që kam kontaktuar me të që nga viti 2003, as që kam negociuar me Dukën, e as që kemi ndërmend të negociojmë me të. Z.Duka nuk i është përmbajtur marrëveshjes së vitit 2003 dhe 2009 për konkurs, prandaj për ne 'çështja Duka' është e përfunduar dhe ne kërkojmë që sa më shpejt imami legjitim Hoti ta marrë detyrën e vet në xhaminë e Marinës", shprehet Bajgora.

Sidoqoftë, banorët e Marinës kanë paralajmëruar për nesër një protestë kundër largimit të Dukës nga fshati Marinë. Por, qytetarët e Skenderajt, që nënshkruan peticionin, kërkojnë që ushtrimi i fesë islame të jetë edhe më tej tradicional dhe jo të sillen praktika më radikale, që mund të çojnë në fundamentalizëm islamik. Në të vërtetë, një shqetësim për ekstremizmin fetar në Kosovë, përkatësisht për Lëvizjen WAHABBI, e pati shprehur që në vitin 2007, në një raport të saj, Ministria e Punëve të Brendshme. Në raport thuhej se Lëvizja WAHABBI në Kosovë ka filluar të përhapet në përmasa më të vogla menjëherë pas përfundimit të luftës, ndërsa metodologjia, të cilën e ka aplikuar në Kosovë, ka qenë përmes organizatave të ndryshme humanitare dhe joqeveritare, kinse duke i ndihmuar popullatës civile, ndërsa qëllimi i saj kryesor ka qenë përhapja e ideve WAHABBI-ste". Në raport vlerësohej se aktivitetet e pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje në Kosovë ishin në fazën e krijimit të infrastrukturës së tyre.

KOMENTE