English

OSBE: I gëzoni kushtet për të na kryesuar

Tiranë, 4 mars, NOA - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian e vlerëson si të shkëlqyer bashkëpunimin me Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një themel të fortë për kërkesën e shprehur nga vendi ynë për të kryesuar këtë institucion në vitin 2014.

Një konsideratë të tillë ia ka bërë me dijeni ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vetë sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Perrin de Brichambaut, gjatë një takimi të përbashkët në Vjenë.

Sipas Brichambaut, bashkëpunimi mes OSBE-së dhe Shqipërisë është shumë i mire në të gjitha nivelet, si në Vjenë, ashtu edhe në Tiranë, gjë që lejon një parapritë pozitive për të siguruar një kryesim të suksesshëm të OSBE-së nga vendi ynë.

Nga ana e tij, ministri Meta e informoi sekretarin e Përgjithshëm për masat e planifikuara nga ana e ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar se Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë dhe përgjegjësinë që mbart një ndërmarrje e këtyre përmasave.

Për këtë, Meta vuri në dukje edhe vëmendjen që po i kushtohet përgatitjes së ekipeve diplomatike në Vjenë dhe Tiranë, si dhe mundësive për të caktuar diplomatë shqiptarë në misionet në terren të OSBE-së dhe në Sekretariatin e OSBE-së.

Brichambaut shprehu më tej, mbështetjen e plotë të Sekretariatit të OSBE-së për këto iniciativa dhe për planet përgatitore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke e garantuar Metën që caktimet e diplomatëve shqiptarë në misionet e terrenit dhe në Sekretariat janë të mirëpritura.

Në vijim, biseda u fokusua në prioritetet aktuale të organizatës, kryesisht mbi procesin e Korfuzit, që synon vendosjen e besimit dhe konfidencës ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, për një OSBE më të mire e më të sigurt nga Vankuveri deri në Vladivostok.

n.e/NOA

KOMENTE