English

Greqi, 15 shqiptarë grabisin një shtëpi, plagosin dy emigrantët

Rodos, 6 Mars NOA - Plot 15 shqiptarë kanë sulmuar një banesë në ishullin grek Rodos duke plagosur rëndë dy djem gjithashtu shqiptarë të cilët ndanin qeranë duke punuar dhe jetuar si emigrantë. Ngjarja e rëndë që ka shokuar opinion publik vendas, ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Referuar burimeve policore për agjencinë NOA, bëhet e ditur se ngjarja ndodhi në zonën e Afandu, ku kohët e fundit konstatohen ngjarje të shpeshta kriminale me protagonistë shqiptarë.

Rreth orës 12.30 pas mesnate, në shtëpinë ku jetojnë dy emigrantë nga Shqipëria, futen fillimisht duke thyer derën kryesore, tre djem shqiptarë.

Që të tre mbanin hunj të trashë në duar dhe me to nisën të godasin dy shqiptarët e pambrojtur. Në këto momente, agresorët u kërkojnë viktimave të tyre të tregojnë se ku i kanë fshehur paratë.

Kur morën hezitim prej tyre, mjaftoi një vërshëllimë dhe në pak caste, plot 12 djem të tjerë shqiptarë ia behën brenda shtëpisë, që të gjithë me hunj në duar.

Ajo që ndodhi më pas ishte shokuese: Që të gjithë iu sulën orendive shtëpiake duke i shkatërruar ndërkohë që disa prej agresorëve vazhdonin të godisnin dy viktimat e tyre.

Disa minjuta më vonë, ia kanë arritur qëllimit sepse kanë gjetur paratë që gjendeshin në shtëpi, 22 mijë euro. Por në arrati nga grabitja, nuk lanë pa marrë dhe sende të tjera që kishin dy emigrantët.

Me t'u larguar banda prej 15 kriminelësh, dy shqiptarët kanë telefonuar policinë duke kërkuar ndihmë. Me të mbërritur forcat policore, kanë dërguar dy të dëmtuarit për mjekim në spitalin lokal.

Nga hetimet e para dhe marrja në pyetje e të plagosurve, bëhet e ditur se ata i njihnin nga pamja tre djemtë që hynë të parët në banesën e tyre kurse nuk kishin parë kurrë më parë, 12 të tjerët.

Policia komunikoi sot se ka arritur të kapë një prej të dyshuarve që i përket grupit të tre të parëve që sulmuan shtëpinë dhe nga kontrolli i kryer në banesën e tij, ka sekuestruar si prova materiale tre shkopinj të trashë bejzbolli me lartësi 70 centimetra.

Policia pohoi se një sulm në përmasa të tilla ndaj një shtëpie dhe banorëve të saj, nuk kishte ndodhur më parë.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE