English

Prifti: Faturat, ankesat do verifikohen

Tiranë, 6 mars, NOA - Në një kohë që OSSH ka shpërndarë faturat e energjisë së muajit shkurt, familjarëve në të gjithë Shqipërinë nuk po u jepet një zgjidhje, për mbi faturimin e konsumit për periudhën e dhjetorit. Ministria e Energjitikës dhe kompania private deklarojnë se do të kompensohen të dëmtuarit, por deri më tani asnjë prej konsumatorëve nuk ka përfituar.

Ministri Dritan Prifti ndërkohë ka premtuar se ankesat do të shqyrtohen rast pas rasti. Sipas tij, prej disa ditësh një grup ekspertësh i ngritur nga ministria shkon në sportelet e pagesave të energjisë për të verifikuar abuzimet. Për kreun e këtij dikasteri ekzistojnë të gjitha mekanizmat ligjorë që të detyrojnë kompaninë të dëmshpërblejë konsumatorët.

Gjatë një konference për shtyp ministri Prifti u ndal edhe në procesin e privatizimit. Objektivi i qeverisë është që të shesë çdo aset publik, përveç objekteve në arsim, shëndetësi si dhe HEC-et në kaskadën e Drinit. Duke ju referuar ministrit është parashikuar që këtij viti të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 100 milion euro nga privatizimet. Ky proces do të ndikojë në përmirësimin e financave publike, të cilat kanë pësuar rënie nga efektet e krizës.

Të drejtën e parablerjes në këtë proces do ta kenë ish- pronarët dhe qiramarrësit. Por ekspertët kanë ngritur shqetësimin se privatizimi i aseteve mund të mos jetë I suksesshëm gjatë këtij viti, pasi 2010 do të jetë një vit i vështirë për ekonominë tonë.

r.l/NOA

KOMENTE