English

Thaçi: Ndarja, rihap çështjen e kufijve

Prishtinë, 6 mars, NOA - Ndarja e Kosovës do të hapte sërish çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni gjatë një interviste për mediat serbe, kryeministri kosovar. Duke cilësuar se integriteti territorial i vendit është i paprekshëm dhe se kufijtë e Kosovës janë të njohur dhe të garantuar nga bashkësia ndërkombëtare, ai tha se nuk duhet të ketë më asnjë diskutim rreth tyre.

"Me këta kufij, Kosova do të integrohet në NATO dhe Bashkimin Evropian", ka deklaruar kryeministri kosovar, lidhur me një fakt të tillë. Më tej, ai ka shtuar se strategjia për Veriun ka për qëllim integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare, ngritjen e tolerancës ndëretnike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës.

"Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të dy vendeve," ka thënë kryeministri Thaçi.

n.e/NOA

KOMENTE