English

Vodhi 10 kisha dhe xhami, kapet i dyshuari

Korçë, 6 mars, NOA - Ka vjedhur deri tani dhjetë kisha duke i shpëtuar identifikimit dhe kapjes nga policia, por më në fund i ka ardhur dita të bjerë në duart e saj.

Fjala është për 34-vjeçarin Bujar Kalemi, lindur dhe banues në fshatin Zhabokikë të Tepelenës, i cili akuzohet për disa vjedhje të kulteve fetare në rrethin e Korçës dhe atë Kolonjës dhe tashmë rezulton si i arrestuar.

Lajmi bëhet me dijeni nga forcat e policisë për agjencinë e Lajmeve NOA, duke listuar edhe kishat e vjedhura prej personit në fjalë.

Konkretisht, ai ka kryer vjedhjen e kishës Shën-Thanasit më 06.12.2009 në qytetin e Korçë, me shumën e 12.000 lekëve; atë të kishës së Shën-Anës më 09.12.2009 sërish në qytetin e Korçës me shumën e 45.000 lekëve; vjedhjen e kishës së Shën-Kollit më 26.12.2009 në fshatin Kamenicë me shumën prej 3300 lekësh; vjedhjen e xhamisë së fshatit Floq më 28.12.2009 me shumën e 10.000 lekëve; vjedhjen e kishës së Shën-Gjergjit më 27.06.2009 në qytetin e Ersekës me shumën prej 3500 lekësh si edhe vjedhjen e kishës së Ngjitja e Zotit në Qiell më 26.12.2009 në fshatin Borovë, me shumën prej 6000 lekësh.

Ndërkaq, ai rezulton se ka kryer vjedhje kishash edhe në rrethin e Gjirokastrës në dy raste, po kështu në dy raste të tjera në mënyrë të përsëritur ka vjedhur kishën në fshatin Kostan të rrethit Delvinë.

n.e/NOA

KOMENTE