English

PS:Qeveria ka humbur gërshërët e inagurimeve

Tiranë, 7 mars, NOA - Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi sot se për shkak të krizës ekonomike dhe të shpenzimeve të tepërta të administratës, qeveria nuk ka bërë më investime.

"Qeveria Berisha ka humbur gërshërët e inagurimeve, ndërkohë që kryeministri ka lënë pa punë kantiere të hapura nën ethet elektorale anembanë vendit. Vjet për fushatë, Kryeministri priste 3 shirite inagurimesh në ditë, ndërsa ka muaj tashmë pa u nisur asnjë vepër publike. Jemi dëshmitarë se si veprat publike në vend, jo vetëm që nuk po nisin me vitin e ri; por janë braktisur "në mes të rrugës" për mungesë fondesh", u shpreh, Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati.

Bushati theksoi se qeveria është shkaktare e krizës së financave publike. Sipas tij ministria e Financave nuk ka para të shlyejnë borxhet ndaj kompanive shqiptare që kanë kryer punime, e për pasojë ka rënë dhe numri i investimeve.

"Rrugët e nisura me shumë fanfarë para fushatës zgjedhore, janë braktisur pa u përfunduar, pasi puna për zbatimin e tyre ka ndaluar tashmë prej muajsh", tha ai.

m.xh/NOA

KOMENTE