English

Azili, kryeministri belg në Shkup

Shkup, 8 mars, NOA - Kryeministri belg, Leterme, gjatë një vizite sot në Shkup, do të jetë i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar i prirë nga ministri i Emigracionit, për të skanuar gjendjen reale në Maqedoni dhe do të njihen drejtpërdrejt me gjendjen e shqiptarëve të rajonit të Likovës, që përbëjnë numrin më të madh të azilkërkuesve në Belgjikë.

Shkupi dhe Beogradi akuzojnë agjencitë turistike se ata janë fajtore për eksodin masiv të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Belgjikës.

Akuza vijnë vetëm disa ditë para vizitës së planifikuar për ditën e hënë të kryeministrit belg, Yl Leterme në Shkup, por edhe në zonën e Likovës dhe Kumanovës ku u ndje eksodi masiv.

Delegacioni belg përveç takimeve me kreun qeveritar do të takojë edhe kryetarin e komunës së Likovës, Sadulla Duraku dhe banorë lokal, për tu njohur me kushtet e tyre te jetesës dhe përkujdesjen nga institucionet.

Gjatë kësaj fundjave, Qeveria e Serbisë akuzoi agjencitë turistike nga Maqedonia për siç thuhet mashtrim të qytetareve edhe nga Serbia për qëllime përfitimi.

Kryeministri serb Mirko Cvetkoviq tregoi në Komisionin Evropian (KE) se tre agjenci turistike nga Maqedonia kanë organizuar udhëtimet me autobusë nga Maqedonia e Serbia drejt Belgjikës. "Ajo çfarë ndodhi në të vërtetë është që disa persona abuzuan duke u thënë njerëzve se po të kërkosh azil në Belgjikë të japin 500 euro dhe hotel falas. Ne do të kontrollojmë këto agjenci turistike, tri prej të cilave, sipas informacionit që kam unë, nuk janë serbe por maqedonase që kalojnë nga Serbia. Nëse gjejmë të tilla në Serbi do të ngremë padi ndaj personave që shpërndajnë informacione të gabuara", u shpreh Cvetkoviq.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ditë më parë, u ka bërë thirrje banorëve të rajonit të Kumanovës, por edhe të vendbanimeve të tjera në Maqedoni që të mos manipulohen nga persona apo agjenci turistike që u premtojnë atyre përfitimin e azilit politik në vendet evropiane.

Agjencitë turistike, kanë apeluar tek institucioneve e vendit që të mos ua hedhin fajin atyre për shpërnguljet e qytetarëve drejt Perëndimit.

"Ajo që thonë udhëheqësit në Shkup dhe Beograd është hipokrizi dhe poshtërsi. Ne nuk e kemi detyruar askënd ta braktisë vendin dhe nuk i kemi premtuar askujt asgjë. Kjo është absurde si mundemi ne t'u premtojmë azil qytetarëve në Belgjikë apo vende të tjera. Vendimi për t'u larguar nga shtëpia secili e merr në familjen e tij, i detyruar nga faktorë të ndryshëm, të cilët dihen tashmë", deklarojnë përfaqësuesit e agjencive turistike.

NOA-INA

KOMENTE