Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kush mund të qeverisë më mirë
English

Kush mund të qeverisë më mirë

"Në rast se duam të kemi një vend të mirëqeverisur duhet të bëjmë transparencën e atyre kutive, në mënyrë që më askush të mos guxoj, që vullnetin e zgjedhësit, ta kthejë në një sundim të të zgjedhurit. Është e vetmja mënyrë për t'u mirëqeverisur. Mënyra tjetër është vetëm një mënyrë për t'u sunduar. Ne jemi këtu në PS, sepse nuk pranojmë të sundohemi dhe sigurisht sepse jemi të gatshëm që ta mirëqeverisim këtë vend ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër"

Nga Edi Rama

Kryetar i PS

Në të gjithë botën kjo është një ditë që njihet si dita ndërkombëtare e gruas. Në traditën tonë festohet me tubime përgjithësisht rreth tryezash të mbushura si në një ditë të veçantë, ndërkohë që në shumë vende të botës, gratë sot protestojnë për të drejtat e tyre, jo vetëm në vend ku të drejtat janë apriori të mohuara, por edhe në vende kur ne shohim shembullin e realizimit të këtyre të drejtave. Ky është një tregues kuptimplotë për faktin se edhe bota e qytetëruar të cilës duam t'i bashkëngjitemi në bashkimin evropian, apo në aleancën e madhe të vendeve demokratike ka ende shumë për të bërë për të drejtat e grave. Për ne kjo ditë shërben edhe për të kujtuar përpjekjet e grave për barazi dhe paqe, për liri dhe demokraci. Për të shprehur përgjithësisht mirënjohjen për të gjitha gratë shqiptare, që edukuan gjenerata të tëra fëmijësh, me respektin për vlerat njerëzore dhe për ato kombëtare. Për të nënvizuar respektin për të gjitha ato gra, të njohura ose jo, që bën edhe më shumë qysh në kohëra të hershme, duke kapërcyer pragun e shtëpisë, duke ndikuar në një mënyrë ose në një tjetër drejtpërdrejtë në jetën e vendit tonë apo thjesht fshatit të tyre të vogël. Për të vlerësuar çdo grua të sotme që në kushte aspak të lehta rrit fëmijë, apo përpiqet të përmirësoj kushtet e mjedisit ku rriten të gjithë fëmijët e këtij vendi. Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar thoshte: "Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri, sepse fëmijët së pari marrin arsimimin dhe mësimet. "

Me këto fjalë dua të çmoj sot në mënyrë të posaçme, të gjitha gratë që luftojnë për të mbrojtur dhe për të mësuar të tjera gra, të gjitha gratë që me sa munden rritin hapësirën dhe vëmendjen për gruan, qoftë duke u angazhuar në përpjekjen e shoqërisë civile, apo qoftë duke dhënë shembuj kurajoz lidershipi në afirmimin e rolit të gruas në politikë, por edhe në sipërmarrje. Unë jam krenar që shembuj të tillë inkurajues dhe frymëzues kemi këtu mes nesh, në vijën e parë të angazhimit të përbashkët, për një shoqëri të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Për një shoqëri të drejtë për çdo njeri, pavarësisht gjinisë, fesë, ngjyrës së lëkurës dhe të barabartë në mundësitë që i ofron gjithsecilit.

Jam krenar që politika jonë e re e ka transformuar përmbajtjen e parlamentit në aspektin e përfaqësimit të gruas që sot falë angazhimit tonë në reformën elektorale, është më shumë se e dyfishuar, por kjo ende nuk do të thotë shumë nëse marrim parasysh se është vetëm dyfishi i një numri shumë të vogël siç ishte ai i grave deputete deri një vit më parë. Dinjiteti me të cilin kanë përballuar sfidën e vështirë të gjitha përfaqësueset e PS, është një shtysë e madhe për të vazhduar të rrisim numrin e grave në të gjitha nivelet e përfaqësimit në parlament, në këshillat bashkiak ose komunalë, në qeverisjen vendore sot dhe në atë qendrore nesër. Ndërkohë që një grup po punon për rishikimin e programit tonë lidhur me rolin dhe mbështetjen që PS duhet t'i japë gruas, përmes transformimit të qeverisjes së vendit, ashtu si kundër ka filluar të konceptohet projekti i riaktivizimit të Forumit të Gruas Socialiste, ku do të synojmë një përfshirje sa më të gjerë dhe pse jo një qasje krejt të re, jo vetëm organizative, por edhe programore.

Përpara meje këtu folën disa gra që janë të njohura për të gjitha ju, që janë të njohura për opinionin publik, që janë të nderuara e të respektuara jo vetëm në PS, por edhe në shoqërinë tonë. Dhe në fakt, është kjo ndërthurje që sipas meje përbën një hap të parë të rëndësishëm përpara, ndërthurja mes atyre grave që vijnë nga një eksperiencë e fortë, e vështirë, nga një eksperiencë e larmishme, por njëkohësisht edhe një eksperiencë e cila vlen për të kuptuar se sa shumë duhet përmirësuar hapësira për gratë në shoqëri. Dhe këto janë deputetet që kanë kohë që janë angazhuar në vijën e parë mes 1001 vështirësive dhe duke përballur 1001 nga ato gjëra që i bëjnë sot gratë, por edhe burrat në Shqipëri, t'i rrinë larg politikës. Nga ana tjetër gratë të tjera që janë të sapoardhura në këtë mjedis politik, por që bartin një eksperiencë krejt të ndryshme, atë të betejave qytetare në hapësirën e shoqërisë civile, në përpjekje për të mbrojtur dhe për të mundësuar të tjera gra, që të përballen me këtë mjedis ende shumë patriarkal, ende shumë primitive, ende shumë larg një mjedisi të edukuar dhe të kulturuar evropian. Po kështu është edhe një ndërthurje gjeneratash, shumë e rëndësishme e cila mendoj se përsëri jo vetëm i bën nder Partisë Socialiste, por përbën bazën për të guxuar më shumë për të ardhmen.

Nga ana tjetër unë do doja të mos e mbyllja këtë fjalë pa kujtuar veçorinë e këtij 8 Marsi. Ky nuk është një 8 mars si shumë të tjerë. Është një 8 mars që e gjen Shqipërinë në tatëpjetën e një krize ekonomike dhe kur ke thënë krizë ekonomike në Shqipëri, ke thënë njëkohësisht një barrë e shtuar në radhë të parë mbi supet e grave shqiptare, sepse janë ato dhe posaçërisht nënat që në këtë vend përballen të parat me të rejat e dhimbshme të krizës ekonomike, që futet përditë brenda shtëpisë dhe që përditë sjell një të re që familjet shqiptare nuk do të donte ta kishte, ndërkohë që të rejat që familja shqiptare pret nuk vijnë. Janë nënat në çdo familje që përballen të parat me faturën e re të dritave apo ujit nën derë, që përballen me rritjen e përditshme të çmimit të ushqimit, sepse janë ato që duhet të gatuajnë dhe kursejnë për të nxjerrë muajin ndërkohë që familja i sheh në dritë të syrit kur tavolina varfërohet nën efektet e krizës. Shtatë për qind u shtrenjtuan ushqimet vitin e shkuar, por të mos harrojmë që familjet shqiptare konsumojnë 40 % të të ardhurave për ushqim dhe këtu nuk janë familjet e varfra, që e konsumojnë vetëm për ushqim dhe që rritjen e ushqimin nuk arrijnë ta përballojnë as psikologjikisht, gjë që bën që të jetë jo më lajm për fat të keq. Lajmi i përsëritur në ekranet e televizioneve, faqet e gazetave, se një nënë diku vari veten, një nën diku tjetër bashkë me fëmijën u hodh nga një lartësi vrastare për shkak të krizës, një tjetër nënë u përballë me një tjetër tragjedi, e kështu me radhë. Faturën e re të energjisë, atë me çmimin e rritur jo vetëm nga rritja e çmimit në janar, por edhe nga futja e ditëve të dhjetorit, për t'u marrë familjeve shqiptare ato që qeveria nuk paguan dot më, janë nënat në çdo familje që e vuajnë më shumë se çdo gjë tjetër, edhe shtrenjtimin 5 % të shërbimit të arsimit vetëm vitin e shkuar, janë prapë nënat që e vuajnë më shumë, ndërkohë që nënat janë edhe shumica dërrmuese të hequra nga puna, se qeveria nuk ka më lek të paguaj, për mësuesinë në këtë vend dhe sot në 8 mars, është dita më e duhur se të gjitha ditët e tjera, për ti thënë më fortë, se çdo ditë tjetër: turp qeverisë, që heq nga puna nëna shqiptare, sepse janë socialiste apo opozitare. Edhe kursime në lekë të familjeve shqiptare që kanë humbur 12. 2 % të vlerës, si pasojë e zhvlerësimit të kursit të monedhës, sepse janë nënat që e vuajnë për çdo lekë, pasi vijnë me sakrifica të tmerrshme. Nënat vuajnë më shumë edhe papunësinë e madhe ndër të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, në çdo qytet apo në fshat ku shteti i numëron si të vetëpunësuar të papunët e rinj që veç ikin nga atdheu, largimin nga nëna shohin si shpresë. Sot është dita për të shprehur respekt për të gjitha këto vuajtje, por njëkohësisht edhe revoltë, që këto vuajtje të mos kthehen në normë, që mbi këto vuajtje të mos shtrihen ditë për ditë shtresat e gënjeshtrave për suksese, për zhvillime, për integrime, për investime, për realizime, që në fakt të gjitha së bashku nuk janë asgjë tjetër veçse propagandë e shfrenuar, e një pushteti që e zhyti Shqipërinë në këtë krizë dhe ua vuri këtë barrë të pamerituar mbi supe të gjitha nënave shqiptare, sepse u riciklua nëpërmjet shpenzimit të harbuar të të gjitha atyre të ardhurave të mbledhura nga kontributet e shqiptarëve, për tu administruar nga ajo që është qeveria e vendit.

Pjesën e tretë të kësaj fjale, dua t'ua kushtoj atyre kutive që qëndrojnë mes debatit dhe të jetës tonë publike, dhe që shpesh herë shumë gabimisht i shtyjnë opinionbërësit apo opiniondhënësit të thonë se ndërkohë që Shqipëria zhytet në krizë, politika ka mbetur te kutitë. Jo. Nuk është kështu. Politika ka mbetur te kutitë, sepse aty janë rrënjët e krizës. Ato kuti nuk janë sende për pronësinë mbi të cilat grinden dy palë, ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë prone, mbi ato sende dhe pala tjetër nuk i mban peng ato sepse i konsideron si një pronë që nuk mund t'ia jap opozitës. Në ato kuti janë investimet e ëndrrave, të shpresave, të nevojave, të aspiratave, të të gjitha atyre që në 28 qershor kanë hedhur aty jo një copë letër, por shprehjen në letër si në çdo vend të qytetëruar, prej çdo populli të qytetërua, të një vullneti Sovran që është vullneti i popullit dhe është shumë e rëndësishme që të mos harrohet e vërteta e thjeshtë, se në demokraci cilësia e qeverisjes lidhet drejtpërdrejtë me nevojën e brendshme të patjetërsueshme dhe të pashmangshme që ka qeveria për tu kujdesur për qytetarin, sepse varet drejtpërdrejtë nga vullneti i tij. Në demokraci, një qeveri nuk mund ti lejoj vetes të bëj të gjitha këto që i lejon vetes e ashtuquajtura qeveri e vendit tonë. Dhe e dini pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse çfarëdo që do të bëj në kundërshtim me interesat apo me pritshmërinë e qytetarit, do të duhet ta paguaj ditën kur qytetari hedh në kutinë e votimit, opinionin e tij për qeverinë, ndërkohë që në rast se qeveria arrin ta marrë votën edhe kur qytetari nuk ia jep, atëherë marrëdhënia mes qeverisë dhe qytetarit, nuk është më marrëdhënia që demokracia garanton, duke e vënë qeverinë në varësi të qytetarit, por është një marrëdhënie e tjetërsuar, e mbrapshtësuar, e përkeqësuar deri në përkeqësimin e çdo elementi të qeverisjes, marrëdhënien e vartësisë të qytetarit nga qeveria. Kjo është arsyeja pse ato kuti lidhen drejtpërdrejtë qoftë me ato të drejta të munguara, qoftë me ato gëzime të mohuara, për të cilat flitet në 8 mars, dhe qoftë me atë krizë ekonomike që vazhdon të gërryej shoqërinë dhe familjen shqiptare. Është e lidhur drejtpërdrejtë ajo që gjendet në ato kuti me atë që sot jetojnë qytetarët dhe pa ndryshuar fatin e kutisë së votimit, nuk mund të ndryshoj cilësinë e qeverisjes, sepse nuk mund të rivendosim raportin e varësisë së qeverisë nga qytetari, përkundrazi, do të vazhdojmë të zhytemi në batakun e varësisë së qytetarit nga qeveria. Qytetari nuk varet nga qeveria në demokraci, por varet nga ligji, dhe qeveria në funksion të kushtetutës dhe të ligjit, bën çmos për të garantuar liri dhe mundësi të barabarta. E kur nuk arrin t'i garantojë ato aq sa duhet, largohet sepse në ato kuti qytetari hedh vendimin e tij. Por në rast se atë vendim qeveria e merr edhe pa qytetarin, atëherë qeverisja ka marrë fund si shërbim dhe ka filluar të formësohet si sundim. Në rast se duam të kemi një vend të mirëqeverisur duhet të bëjmë transparencën e atyre kutive, në mënyrë që më askush të mos guxoj, që vullnetin e zgjedhësit, ta kthejë në një sundim të të zgjedhurit. Është e vetmja mënyrë për t'u mirëqeverisur. Mënyra tjetër është vetëm një mënyrë për t'u sunduar. Ne jemi këtu në PS, sepse nuk pranojmë të sundohemi dhe sigurisht sepse jemi të gatshëm që ta mirëqeverisim këtë vend ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër.

KOMENTE