Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Njëzet vjet më pas
English

Njëzet vjet më pas

"Njëzet vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Evropën e Bashkuar me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë"

Nga Ilir Meta*

Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme

Me kënaqësi pranova ftesën e mikut tim, Ambasadorit d'Elia, për të çelur së bashku Stinën e Pranverës italo-shqiptare 2010, me tematikën simbolike "Dy popuj, një det, një miqësi".

Kjo është një pranverë evropiane, një pranverë që paralajmëron lajme të mira, për qytetarët shqiptarë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, sidomos për sa i takon liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të vendeve tona, ku Italia luan një rol të jashtëzakonshëm.

Më lejoni, me këtë rast, të falenderoj Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane për ndërmarrjen e kësaj iniciative madhore që, përmes spektrit të gjerë të veprimtarive të parashikuara, do të evidentojë jo vetëm kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, por edhe miqësinë e sinqertë, afërsinë gjeografike dhe lidhjet historiko-kulturore mes dy popujve tanë. Dëshiroj të shpreh në veçanti, një falenderim për përkujdesin e tij personal në realizimin e kësaj nisme, kolegun dhe mikun tim të nderuar Franko Frattini.

Zonja dhe zotërinj,

Ceremonia e sotme më jep mundësinë të riafirmoj para jush partneritetin strategjik, politik, ekonomik me Italinë fqinje e mike në rrugën e Shqipërisë drejt së ardhmes sonë të afërt europiane.

Një muaj më parë, Kryeministrat e vendeve tona, z. Berisha dhe z. Berlusconi, nënshkruan, në Romë, Deklaratën e Përbashkët për Partneritetin Strategjik. Ky dokument hap një fazë të re cilësore në marrëdhëniet tona. Ai synon të forcojë më tej bashkëpunimin dypalësh dhe të intensifikojë partneritetin në planin rajonal, ku dy vendet tona, aleate në NATO, kanë krijuar një model e shembull bashkëpunimi të ngushtë në hapësirën adriatiko-joniane e atë mesdhetare, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës së sigurisë, stabilitetit dhe nxitjes së investimeve afatgjata në rajon e më gjerë.

Kjo Deklaratë e Përbashkët sanksionon mbështetjen solide të Italisë në procesin integrues të Shqipërisë në BE, duke dëshmuar se marrëdhëniet prioritare e strategjike me Italinë orientohen drejt një perspektive të sigurt europiane.

***

Kjo "Pranverë Italiane" i paraprin natyrshëm stinës së pranverës në Shqipëri. Ajo është evenimenti më i madh dhe më kompleks i realizuar në marrëdhëniet tona dhe synon të nxisë bashkëpunimin në fusha si: ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, kultura, shoqëria civile, etj.

Jam i bindur se tërësia dhe larmia e veprimtarive të parashikuara do të shërbejnë për të evidentuar potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, si një mundësi për të bashkërenduar energjitë në të mirë të përfundimit të projekteve të hartuara bashkërisht, por edhe për të identifikuar hapësira e forma të reja bashkëpunimi.

Do të veçoja dhe përshëndesja këtu iniciativat që do të ndërmerren me rastin e 20 vjetorit të Kooperacionit për Zhvillim, themelimin e Forumit të Dialogut ndërmjet Shoqërive Civile Shqiptaro-Italiane, por edhe diskutimet mbi projekte të përbashkëta jetike për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës në Shqipëri, siç është projekti nevralgjik rajonal i Korridorit të VIII.

Konstatoj me kënaqësi se një pjesë e mirë e tyre ndriçohen nga një këndvështrim unik: lidhjet e forta kulturore mes dy popujve tanë fqinjë, që bazohen, ndër të tjera, në diasporën e hershme të arbëreshëve të Jugut të Italisë dhe në komunitetin e tanishëm të emigrantëve shqiptarë në Itali, të cilët, me integrimin dhe kontributin progresiv në gjirin e shoqërisë italiane, po i pasurojnë e konsolidojnë përditë e më shumë urat tradicionale të miqësisë.

***

Kjo Pranverë do të jetë padyshim Stina e Madhe e miqësisë mes dy popujve, koha e vendi ideal i takimit dhe dialogut mes dy kulturave e dy brigjeve që historikisht janë lagur nga një det për të qenë solidarë në fatet e historisë e që sot ndajnë të njëjtën të ardhme, atë të një familjeje të përbashkët, europiane.

Dëshiroj, nga ana ime, t'ju siguroj se Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë plotësisht e angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj nisme.

20 vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Evropën e Bashkuar me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë.

(*) Fjala e mbajtur në çeljen e pranverës italiane në Tiranë

KOMENTE